Lutfi Haziri thotë se i ndajnë pak ditë nga nënshkrimi i një marrëveshjeje më Vetëvendosjen. Derisa raportohet për përafrim qëndrimesh, si rrallë herë, në partinë e Albin Kurtit kanë qëndruar të heshtur rreth negociatave.
Është konfirmuar se liderët kanë lënë letrat dhe videot, e janë ulur në tavolinën e bisedimeve. Janë qetësuar ujërat në të dy kampet, e janë ndalur përplasjet publike mes eksponentëve të dy partive, që po bëheshin javëve të fundit kryesisht në studio televizive ose në Facebook.
Fundjava u ushqye me lajmin se lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kishte shkuar në shtëpinë e kryetarit të LDK’së, Isa Mustafës, në fshatin Prapashticë. Shtëpia e ish-kryeministrit është e njohur si vend i takimeve politike me partnerët e vjetër të Mustafës, por edhe vend i protestave të Vetëvendosjes pesë vjet më parë.
Isa Mustafa në letrat e tij javë më parë thoshte se nuk donte të takohej më me Kurtin për të biseduar dhe se do të ulej në tavolinë vetëm kur të dakordoheshin – përmes letrave – të nënshkruhej marrëveshja. Këtë fundjavë ndodhi ndryshe.
Pa treguar nëse takimi ka ndodhur në Prapashticë, është konfirmuar se dy partitë janë angazhuar nga e premtja për të arritur një marrëveshje për formimin e Qeverisë.
Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri tha të dielën për Gazetën Express se në takimin e fundit mes LDK’së e VV’së nuk kanë marrë pjesë vetëm dy liderët, por ‘ekipet’ nga dy subjektet.
Express merr vesh se në takimin e mbajtur në fundjavë, kanë qenë pjesëmarrës disa prej zyrtarëve më të lartë të dy partive, përfshirë edhe Glauk Konjufcën, emri i të cilit është më i përfoluri në negociatat VV-LDK, që nga zgjedhja e tij kryeparlamentar.
Haziri nga ana tjetër thotë se me VV’në janë përafruar edhe më shumë dhe arritja e marrëveshjes është më afër. Veçse, ai akoma thotë se partia e tij duhet dhe është e drejtë e saj që të udhëheqë Parlamentin, ndërsa VV’ja, si fituese e zgjedhjeve, të udhëheqë Qeverinë.
“LDK’ja s’e ka diskutuar asnjëherë dhe ka ndërtuar standardin se fituesi e merr Kryeministrin. Ndërsa, ne si parti e dytë, në këtë rrafsh, do të duhej të na takonte pozita e Kryeparlamentarit. 26 dhjetori ka sjellë një situatë të re dhe jemi në përpjekje e sipër për të tejkaluar në mënyrë që LDK’ja me qenë e rehatshme në koalicion, duke e marrë një detyrë kushtetuese deri në zgjedhjen e Presidentit, që parashihet të ndodhë në shkurt të vitit 2021”, ka thëne Haziri.
Koha Ditore ka raportuar sot duke u thirrur në burimet e saj se ka përafrim të qëndrimeve mes LDK’së e VV’së dhe kanë filluar të shkrihen akulli edhe për pozitën e kryeparlamentarit, për të cilën dy partitë po e donin për vete.
“Për shumicën prej deputetëve të LDK-së, por edhe për nënkryetarin Lutfi Haziri është i pranueshëm propozimi që e ka dhënë Vjosa Osmani në njërën prej mbledhjeve të mëhershme që posti i kryeparlamentarit të kompensohet me njërën prej ministrive të rëndësishme, përkatësisht MPJ-në”, thuhet në raportimin e Kohës Ditore.
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…
Ish deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër për protestën kundër investimit në Zvërnec,…
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka konfirmuar se do të marrë pjesë në samitin BE–Ballkani Perëndimor…
Katy Perry do të jetë njëra prej këngëtareve kryesore që do të përformojë në Festivalin…
Një efektiv i Policisë së Shtetit u vra dhe një tjetër u plagos gjatë një…
Autori i vrasjes së një polici dhe plagosjes së një efektivi tjetër mëngjesin e sotëm…