Radhë kilometrike për t’u larguar nga Krimea pas sulmit ukrainas

Vetëm dy ditë pas sulmit ukrainas në një bazë ajrore në gadishullin e Krimesë, radhë kilometrike janë parë për largimin nga zona, pavarësisht thirrjes për qetësi që kanë bërë autoritetet ruse, duke pretenduar se ngjarja ka të bëjë thjesht me shpërthim municionesh në magazinat e bazës.

Nga ana tjetër, autoritetet ukrainase kanë marrë përsipër autorësinë dhe prej pamjeve satelitore mbi Krime, vërehet qartazi se nëntë avionë luftarakë rusë janë shkatërruar së paku prej zhvillimeve.

 

Sipas një zyrtari të lartë të mbrojtjes ukrainase, i cili ka folur për të përditshmen amerikane “The Washington Post” nën kushtet e anonimatit, operacioni është realizuar me predhat Neptune, të cilat janë prodhim ekskluziv i Kievit dhe po përdoren për të parën herë gjatë luftës me Rusinë.

Po këto silurë, janë përgjegjës edhe për fundosjen e anijes luftarake ruse “Moskva”, një prej armëve më të fuqishme të Kremlinit në Detin e Zi.

Po ashtu, një urë mbi lumin Dniepro është shkatërruar nga sulmet e Ukrainës gjatë ditës së djeshme, duke prerë rrugë shumë të rëndësishme, të cilat Moska i akseson në jug të territorit të ukrainas, të cilin forcat ruse e kanë marrë nën kontroll prej kohësh, pas pushtimit.

Nga pamjet e bëra publike në autostradën kryesore të Krimesë, ndërkohë, vihet re se orët e fundit ka pasur radhë të stërzgjata për largimin nga gadishullit.

Teksa, automjetet në pjesën hyrëse të rajonit, janë thuajse inekzistente.

Sulmet e Kievit të ndërmarra së fundmi në Krime janë pjesë e një operacioni të qartë luftarak të forcave ukrainase, pasi ashtu siç ka deklaruar edhe presidenti Volodymyr Zelensky më parë, qëllimi final i kësaj lufte, është që Krimea t’i kthehet Ukrainës si pjesë territoriale.

Kjo gjë duket e vështirë për t’u realizuar, së pari duke vënë në dukje aneksimin pa luftë që Rusia i bëri gadishullit në vitin 2014.

Më pas, edhe për faktin se Moska zotëron tashmë gjithë territorin lindor dhe një pjesë të mirë të atij jugor ukrainas.