Krerët e Listës Serbe kanë mbajtur konferencë bashkë me drejtorin e suspenduar të Policisë Rajonale të Mitrovicës së Veriut. Goran Rakiq thotë se këtë adresim po e bëjnë pasi kanë folur “gjithë natën” me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë suspendimi i drejtorit, i cili nuk deshi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për qortim të qytetarëve me targa ilegale, e ka mbushur kupën.
“Vendimi i Inspektoratit Policor për ta suspenduar drejtorin e Policisë rajonale të Mitrovices Veriut është pika që përmbys kupën dhe kjo mund të themi se bukfalisht është shkatërrim e marrëveshjes së Brukselit”, ka thënë Rakiq, transmeton Gazeta Express.
“Terrori të cilin Prishtina e ushtron këto javë e muaj, jo që nuk duam, por më nuk mundemi ta durojmë dhe këtë e kemi shprehur qartë edhe në takimin me Presidentin Vuciq”, thotë Rakiq.
Kreu i Listës Serbe thotë se do ta shqyrtojnë pozicionin e serbëve në institucione, pas suspendimit të drejtorit.
“Do të takohemi nesër me të gjithë udhëheqësit e institucioneve për të vendosur se si të vazhdojmë tutje. Me të gjithë që udhëheqin institucione, sidomos ata në Veri”, tha ai.
“E ajo çfarë mund të them është se pasnesër [nesër] në orën 12:00, do të fillojmë me protestën e parë”, ka thënë Rakiq.