Sot Kryeministri i Shqipërisë, Edia Rama po qëndron për vizitë në Kosovë, derisa nesër mbahet mbledhja e përbashkët e dy qeverive.
Por, Edi Rama ka vendosur që ta vizitojë edhe fshatin e ish-presidentit Hashim Thaçit.
Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot” thotë se Rama po qëndron në Kosovë për të thur kurthe të reja kundër Kosovës e sidomos kundër qeverisë legjitime të saj të zotit Kurti, sepse ai xhelozon Kurtin, duke shtuar se kryeministri i Kosovës i përmbahet standardeve demokratike, ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë është më keq se një autokrat, grabitës i pasurisë së shqiptarëve.
“Edi Rama sot është në Kosovë. Ndryshe nga radhët e herët e tjera, kur nisej në mëngjes nga Tirana dhe brenda ditës mbaronte mbledhjet e përbashkëta të qeverive të Kosovës e Shqipërisë, kësaj radhe ai ka zgjedhur të vijë në Kosovë një ditë më parë. Kryeministri i Shqipërisë nuk vjen për pelegrinazh në Kosovë 24 orë para mbledhjes së dy qeverive. Ai nuk parapëlqen as natyrën e Kosovës, as Rugovën, as Brezovicën, apo Pejën e Prizrenin. Madje ndjehet i bezdisur nga Kosova dhe kosovarët.
Rama nuk e duron një qeveri në Kosovë që nuk i shërben interesave të Serbisë
Atëherë pse është aty? Për asnjë arsye tjetër, veçse për të thur kurthe të reja kundër Kosovës e sidomos kundër qeverisë legjitime të saj të zotit Kurti. Edi Rama xhelozon ndaj zotit Kurti, sepse kryeministri i Kosovës i përmbahet standardeve demokratike, ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë është më keq se një autokrat, grabitës i pasurisë së shqiptarëve. Prandaj, dhe intrigon kundër tij. Nga ana tjetër, Rama nuk e duron një qeveri që nuk i shërben interesave të Serbisë në Kosovë. Ai nuk dëshiron të jetë i vetëm në kursin anti-kombëtar të bashkëpunimit me Aleksandër Vuçiqin. Kryeministrit të Shqipërisë i duhet një kryeministër dhe qeveri pro-serbe në Kosovë! Po të jetë pro-serbe është edhe pro-Ramës dhe e kundërta!
Atëherë ai ka zgjedhur të bëjë diversion kundër qeverisë së zotit Kurti. Dëshiron që ta rrëzojë me grusht shteti atë. Si thoni ju? Ja, për momentin Rama dhe Thaçi kanë nxitur këta veteranët që bënë luftën për ta varrosur interesin e Kosovës për të protestuar dhe kërcënuar qeverinë Kurti. E gjitha u sajua, me qëllim që kryeministri i Kosovës të frikësohet. Deri tani lëvizja synon që zoti Kurti nga frika e veteranëve të pranojë kushtet e vasalizimit të tij ndaj presidentit të Serbisë e kryeministrit të Shqipërisë. Të bëhet pjesë e Open Ballkan dhe ta pranojë sovranitetin serb mbi Kosovën”, thotë profesori.
Ai deklaron se Rama në Kosovë është me mision të Aleksandër Vuçiqit dhe Hashim Thaçit.
Ai tutje shton se pas takimit me oligarkun Blerim Devolli, Rama pritet të takojë edhe Pacollin, Haradinajn, Vlora Çitakun, ndoshta dhe Veton Surroin e Lumir Abdixhikun e të tjerë, që janë “luajalë” ndaj tij ose në shërbim të Serbisë.
“Në këtë kuptim Edi Rama është sot në Kosovë me mision. Nga njëra anë ka mision të caktuar nga Aleksandër Vuçiqi, me qëllim që ta nënshtrojnë Kosovën e ta shkelin me këmbë atë në nismën e Ballkanit të Hapur! Nga ana tjetër ka diskutuar me Hashim Thaçin në Hagë për mënyrën se si do të ruhen interesat e PDK-së, AAK-së dhe një pjese të LDK-së, duke iu kundërvënë Albin Kurtit e Vjosa Osmanit. Prandaj Rama ka takuar Blerim Devollin! E nisi nga oligarku i Thaçit dhe do të vazhdojë me takime të tjera, si Pacolli, Haradinaj, Vlora Çitaku, ndoshta dhe Veton Surroin e Lumir Abdixhikun e të tjerë, që janë “luajalë” ose në shërbim të Serbisë!
Por, nuk do ta takojë presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin! Nuk do ia falë asaj kritikat që ajo ia bëri në vitin 2020 në parlamentin e Shqipërisë. Nuk do ia falë edhe pjesën tjetër të performimit të saj më mirë sesa Rama në samitet rajonale e europiane! As Vjosa nuk e fal Edi Ramën për bashkëpunimin e tij me Beogradin kundër Kosovës. Por, ka jo pak politikanë në Prishtinë që nuk ua ndien fare për Kosovën, mjafton ta dëgjojnë aktorin Rama se si aktron para ekraneve të televizionit”, shprehet profesori.
Ai shprehet se Rama do të përpiqet të përçajë qeverinë në Kosovë, Kurtin me Konjufcën, siç bëri me Visar Ymerin, Dardan Molliqajn, Shpend Ahmetin e të tjerë, të cilët i drejtoi së bashku me Thaçin kundër ish-kreut të Vetëvendosjes në opozitë.
Kurti dhe Osmani duhet të jenë të kujdesshëm
Tutje, i bënë thirrje Kurtit e Osmanit të jenë të kujdesshëm dhe të refuzojnë çdo provokim të Edi Ramës.
“Ndonëse mbledhja e përbashkët e dy qeverive do të jetë një farsë e parashikuar e paraprogramuar dhe e ricikluar, gjithçka tjetër do të zhvillohet sipas agjendës së destriksionit të kryeministrit të Shqipërisë kundër Qeverisë së Kosovës dhe kundër vetë Kosovës. Nuk do të ketë paqe midis dy politikanëve kryesorë të Kosovës me Edi Ramën, sa kohë ky bashkëpunon me presidentin e Serbisë kundër Kosovës. Por, mund të ketë edhe ndonjë diversion në adresë të Konjufcës. Rama do të përpiqet t’i përçajë Albinin e Glaukun. Siç veproi me Visar Ymerin, këtë Molliqajn, Shpend Ahmetin e të tjerë, të cilët i drejtoi së bashku me Thaçin kundër ish-kreut të Vetëvendosjes në opozitë!
Kurti dhe Osmani duhet të jenë të kujdesshëm. Duhet të refuzojnë çdo provokim të Edi Ramës. Ndërsa qytetarët e Kosovës duhet të kuptojnë se ku shkel Edi Rama, ka shkel edhe vetë Aleksandër Vuçiqi. Pra të kuptojnë se Rama është në Kosovë si shërbëtor i Beogradit dhe si avokat i Serbisë! E di se qytetarët janë të pakënaqur me reformat e Albin Kurtit. Por, ata nuk duhet të bien pre e provokimeve serbe të shqipfolësve. Tani që po fillon procesi gjyqësor kundër atyre që kanë abuzuar me pushtetin dhe kanë grabitur pasuritë e pronat e qytetarëve të Kosovës, kërkohet me çdo kusht të mbështetet qeveria dhe institucionet tjera në këtë luftë. Të gjithë duhet të bëhen bashkë e të mos pranojnë përçarjet e nxitjet për konflikt të Edi Ramës e bashkëpunëtorëve të tij në Kosovë!”, përfundoi profesori Enver Bytyçi.