Para pak viteve, kryeministri Rama do thoshte hapur që “mos e dhëntë Zoti që Trump të zgjidhej president”. Trump u zgjodh, siç e kishte caktuar Zoti, e gjithsesi i pari i qeverisjes në Shqipëri nuk pati asnjë kosto nga fraza e tij problematike në raportet me SHBA nën Trump dhe vetë madje me këtë të fundit.
Së fundi, Rama ka dhënë dhe një vlerësim për Trump nën dritën e zhvillimeve nga lufta në Ukrainë, e cila ka afektuar në tregun botëror të gazit, duke bërë që një pjesë e Europës të jetë e varur nga Rusia.
Ndaj, teksa po fliste rreth krizës energjetike, Rama kujtoi Trump-in, i cili sipas tij e kishte parashikuar rrezikshmërinë e varësisë ndaj gazit rus.
“Dua të kujtoj këtu, ish Presidentin e SHBA, Donald Trump gjatë një takimi që patëm në NATO. Ai mbajti një fjalim se sa e rrezikshme ishte të mbështetesh te gazi rus, dhe të gjenim më të mirin, më të pastrin, gazin e lëngët amerikan”, tha Rama në një konferencë për Energjinë.
Ai tha më tej se Shqipëria ka një përspektivë për t’u bërë një ditë eksportuese e aspak importuese e energjisë, duke vlerësuar nja marrëveshje investuese me Azerbajxhanin, si dhe ndërtimin e Skavicës nga amerikanët.
“Disa ditë më parë pata nderin të vizitoja presidentin Aliyev dhe me kënaqësi ndjeva dhe dëshmova në fjalët e tij inversin e lartë që ka për t’u përfshirë në tubacionin Joniano- Adriatik i cili mund të jetë një tjetër ndryshues i madh i lojës për rajonin tonë, por që në të njëjtën kohë mund të jetë dhe një fuqi, energji e re për Europën që sa më shpejt të jetë e mundur të fitojë një pavarësi prej gazit rus.
Shumë punë po kryhet për atë energjinë e erës dhe goxha punë masive që është në vijim për ëndrrën e gjatë të hidrocentralit të Skavicës, i cili do rrisë me 20% prodhimin e energjisë nga uji, hidro-ja pra, dhe në të njëjtën kohë do të na lejojë dhe na japë neve një shtytje përpara drejt pavarësisë energjetike. Të tëra këto së bashku tregojnë një potencial konkret për të shndërruar Shqipërinë brenda kësaj dekade në një eksportues neto të energjisë, gjë që është madhore…”, argumemtoi i pari i qeverisjes.