Kryeministri Edi Rama është takuar në zyrën e tij me aktorin e njohur hollivudian me origjinë shqiptare Jim Belushi.
Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë ka publikuar disa foto nga takimi në zyrë, ndërsa shkruan: “BLUES BROTHERS! Me legjendën Jim Belushi për dokumentarin amerikan mbi Shqipërinë, në serialin e Discovery Channel”.
Aktori Belushi prej disa ditësh ndodhet në Shqipëri. Ai ka postuar foto nga Tirana, ku shfaqet krah miqve të tij. Një ditë më parë në një foto, aktori shkroi: “E dua këtë vend”.
Jim Belushi është djali i një emigranti shqiptar dhe është rritur në Çikago, ndërsa origjinën e tij e ka përmendur gjithmonë me krenari. Ai njihet më së shumti për rolin në serialin “According to Jim” ndërsa role të tjera televizive përfshijnë “Saturday Night Live” (1983–1985), “Total Security” (1997), and “Twin Peaks” (2017).