Pas takimeve të fundit në nivel të liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Novi Sad dhe Ohër, ku Kosova nuk mori pjesë, kryeministri i Shqipërisë po e sheh çështjen e lirisë së lëvizjes më shumë në kontekstin e një “Mini-Shengeni” ballkanik dhe jo të një marrëveshjeje ndërmjet dy shteteve.
Tani çështja e kufirit Kosovë – Shqipëri nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po theksohet se nuk mund të arrihet mes dy shteteve, pa pasur marrëveshje edhe me vendet tjera të rajonit, specifikisht Serbinë.
Në një intervistë dhënë në televizionit Top Channel, Rama kritikoi ashpër qasjen e Kurtit duke theksuar se kufiri Kosovë – Shqipëri mund të hiqet vetëm duke u marrë vesh me të tjerët.
“Si e heq kufirin Albin Kurti nëse Serbia nuk është pjesë e këtij procesi, apo do të hapë luftë? Kush, SHBA, Bashkimi Evropian apo Kuba do të japin pëlqimin për heqjen e kufirit pa marrëveshje me gjithë të tjerët? Do të ishte vetëm një marrëzi. Aq më tepër, që ne e kemi parë, jo duke e hequr, por duke thënë se do të hiqet, kemi ndezur gjithë llambat e kuqe dhe është ngritur alarm gjithandej”, ka thënë Rama.
Javën e kaluar liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pa pjesëmarrjen e Kosovës e kanë miratuar një deklaratë me një listë të përparësive dhe masave me të cilat synojnë të përmirësojnë bashkëpunimin rajonal duke përfshirë lëvizjen e lire të njerëzve dhe mallrave.
Duke iu referuar kësaj nisme rajonale për “Mini-Shengeni”-in ballkanik, Rama thotë se do ta heqë kufirin edhe me Kosovën.
“Nuk ka askush kundërshtim. Edhe presidenti i Serbisë e ka hedhur hapin e madh dhe të vështirë në raport me të dhe e ka hequr veton për kufirin për lëvizjen e njerëzve, tani këta duan ta heqin kufirin apo do të vazhdojnë të heqin duke e thënë dhe duke mos e hequr, apo do ta heqin me valle shpatash”, ka thënë Rama.
Pretendenti kryesor për kryeministër të Kosovës pas zgjedhjeve të 6 tetorit, Albin Kurti, në një deklaratë për media ka thënë se kryeministri Rama ka bërë gabim në hapa lidhur me nismën rajonale “Mini shengeni” ballkanik.
“Nuk nis me Serbinë kjo punë. Nis Kosovë-Shqipëri, vazhdon Kroaci e Bullgari, vazhdon me Sarajevën zyrtare, Podgoricën zyrtare, Shkupin zyrtar e në fund Beogradi, sepse i tillë çfarë është ai, i papenduar për luftërat dhe krimet e shkaktuara në filtrim të vazhdueshëm me Moskën, nuk mund të ketë prioritet. Mendoj se edhe mbledhja e Novi Sadit, edhe mbledhja e Ohrit ishin gabim në hapa”, ka thënë Kurti.