Raporti britanik: Mbi 50% e forcave separatiste ruse janë vrarë në Donetsk

Forcat separatiste ruse dhe ato nga Rusia në rajonin Donetsk, kanë pësuar humbje të mëdha, sipas përditësimit të fundit të Inteligjencës së Mbretërisë së Bashkuar.

Britanikët vlerësojnë se vetëm milicia e Donetskut ka humbur 55% të forcës së saj, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Forcat ruse janë të përqendruara po ashtu në pushtimin e të gjithë Luhanskut fqinj, duke synuar të rrethojnë qytetin e Lysychansk. Shefi rajonal, Serhiy Haidai, ka thënë se ka pasur “shkatërrim kolosal” në qytet.

Ai ka thënë se situata në qytetin e tij simotër Severodonetsk ishte “ferr” dhe citoi kryetarin të thoshte se rreth 7.000-8.000 civilë kanë mbetur të bllokuar atje.

Inteligjenca ushtarake e Mbretërisë së Bashkuar ka bërë të ditur se Rusia ka shumë të ngjarë të synojë të vendosë një numër të madh njësish rezervë në Donbas, që përfshinë dy rajonet separatiste në lindje të Ukrainës, Donetsk e Luhansk.

Ajo tërhoqi vëmendjen për “shkatërrimin e jashtëzakonshëm” të pësuar nga forcat ruse në Donbas.

Rusia prej muajsh i është shmangur detajimit të viktimave të saj, ndërsa Avokati i Popullit në të ashtuquajturën Republika Popullore e Donetskut, ka thënë javën e kaluar se 2.128 nga forcat e saj janë vrarë dhe 8.897 janë plagosur.

Forcat ruse hodhën shtatë raketa në qytetin jugor të Mykolaiv të mërkurën, sipas udhëheqësit lokal Vitaliy Kim, i cili nuk dha detaje për viktimat.