Sjellja abuzuese, ndaj një të moshuare në Pejë e ka tronditur ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Kështu të paktën është shprehur ajo përmes një reagimi në rrjetin e saj social në Facebook, pas rastit të dhunimit të moshuares në ambientet e Shtëpisë për të Moshuar në qytetin e Pejës, nga një punonjëse në këtë institucion.
Sipas saj në këto momente institucionet përgjegjëse, policia dhe prokuroria janë duke e bërë punën e tyre dhe disa nga personat e dyshuar janë arrestuar.
Abuzimi në mënyrë çnjerëzore i moshuares, sipas Haxhiut nuk mund të jetë i vetmi rast.
“Prandaj qytetarët duhet të bashkëpunojnë me institucionet në rast të dyshimeve për keqtrajtimin e familjarëve në shtëpinë e të moshuarve në Pejë, apo edhe në qendrat tjera të kujdesit ndaj këtyre kategorive. Hetimet duhet të thellohen. Gjithashtu, menaxhmenti duhet të jap llogari për keqtrajtimin e qytetarëve në ato ambiente”, ka shkruar Haxhiu.
Reagimet pas sulmit në Pejë: “Gjest i poshtër, i ulët e barbar”
Dhunimi i moshuares në ambientet e Shtëpisë për të Moshuar në qytetin e Pejës, nga një punonjëse e ka tronditur opinionin kosovar.
Abuzimi dhe dhuna e ushtruar në të moshuaren sipas deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, është krim i rëndë i cili shpërfaq anën më të errët njerëzor dhe ngrit alarmin për mbikëqyre dhe kontroll strikt të këtyre institucioneve private.
“Përveç masave të marra tashmë nga Polica e Kosovës ndaj personave që ushtruan dhunë, duhet të inicohet hetim i menjëhershëm nga organet përgjegjëse për abuzimet tjera të mundshme që mund të kenë ndodhë në këtë shtëpi”, ka shkruar Kusari-Lila në rrjetin e saj social në Facebook.
“Veprimet e menjëhershme nga të gjitha institucionet e linjës janë të domosdoshme, përfshirë edhe Kuvendin e Kosovës në rishikimin e legjislacionit i cili rregullon veprimtarinë në fjalë”.
I shokuar e i tronditur ka mbetur edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abidixhiku, pas rastit të dhunimit të moshuares në ambientet e Shtëpisë për të Moshuar në qytetin e Pejës, nga një punonjëse në këtë institucion.
Pafuqia e asaj zonje, thirrjet e saj që s’kish kush t’i dëgjonte aty, për Abdixhikun duhet të shërbejnë si zë zgjimi për çdo institucion shtetëror sot.
“Ngjarjet si këto nxjerrin anën më të errët të shoqërisë sonë. Ato përveç se të këpusin emocionalisht, të dërmojnë me realitetin e hidhur tek i cili jo rrallëherë po përfundojmë. Kapërcimi nga një shoqëri që respektonte më të vjetrin, në një që ushtron dhunë ndaj tyre në tallje e përqeshje – është përfundim i trishtë. Dhuna është problemi ynë shoqëror; dhe kundër saj duhet dhe do të ngritemi të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin e tij social në Facebook.
Dhunuesja është kriminele
Për anëtaren e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku motra kujdestare e cila në mënyrë të pamëshirshme godet një të moshuare është kriminele.
“Nuk pata forcë me e shiku deri në fund videon në të cilën disa infermiere e sulmonin fizikisht dhe e maltretonin psiqikisht një grua të moshuar në Pejë”, ka shkruar Çitaku në rrjetin e saj social në Facebook.
“Emrat e tyre duhet të publikohen. Tu merret e drejta e punës në institucione shëndetësore, si dhe të ndiqen penalisht”, ka shtuar ajo.
E tmerruar nga ky akt barbar ka mbetur edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.
Ajo e mllefosur pasi ka parë pamjet që po qarkullon në medie, ka bërë thirrje organeve të rendit që të merren urgjentisht me rastin.
“Aty po aq fajtore janë ato tjerat që qeshin derisa kolegia e tyre është në aksion. Gjest i poshtër, i ulët dhe barabar”, ka shkruar Bajrami në rrjetin e saj social në Facebook.
Sipas saj të sëmurët mentalisht nuk duhet të lejohen të shërbejnë/punojnë në asnjë institucion, qoftë ai privat apo publik.
“I kërkoj falje zonjës së moshuar që po jeton në këtë kohë të pakohë dhe i uroj rehabilitim sa më të shpejtë”, ka shtuar ajo.