RENEA e FNSH në Nikël për autorët e masakrës së trefishtë, dinamika e ngjarjes

RENEA dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë janë vendosur së bashku me grupe të përforcuara të policisë së Durrësit në zonën e Niklës për të ushtruar kontrolle në përpjekje për të kapur autorët e masakrës së trefishtë te mbikalimi i Fushë Krujës.

Paraprakisht dyshohet se në atentat kanë marrë pjesë katër persona. Ata kanë qenë duke udhëtuar para makinës së viktimave.

Në një moment, sipas dinamikës së ngjarjes besohet se autorët kanë ndaluar makinën dhe tre prej tyre të armatosur kanë dalë duke qëlluar në drejtim të makinës Passat ku udhëtonin Besmir Hoxha, Brilant Martinaj dhe Diklen Vata.

Dy prej autorëve, sipas armëve që u gjetën më vonë në afërsi të fshatit Larushkë ku u dogj makina, kanë qenë të armatosur me Kallashnikov, ndërsa një tjetër me armë të tipit MP5. Ndërkohë, autori i katër ka qëndruar në makinë.

Në vendin e zgjedhur për të kryer atentatin nuk ka asnjë kamer që ta filmojë, ndërsa autorët dyshohet se kanë qenë të maskuar.