Në zgjedhjet e thirrura nga Komisioni i Rithemelimit, demokratët zgjodhën në krye të Partisë Demokratike, forcës politike më të madhe opozitare, Sali Berishën, një njeri i shpallur ’Non Grata’ nga aleati më i madh i shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës!
Në zgjedhjet e mbajtura sot, 22 maj 2022, ish-kryeministri mori 93.45% të votave, duke mundur kështu kandidatin tjetër dhe të vetmin, Ibsen Elezi, në një garë rezultati i së cilës nuk ishte aspak surprizë. Në total kanë votuar 43.680 demokratë, 40.840 kanë votuar për Berishën, teksa 2532 kanë votuar për Ibsen Elezin, Me këtë të fundit që nuk ka fituar as në Kukës, në degën që ka drejtuar vetë.
Mirëpo përtej entuziazmit të Sali Berishës, që vjen në krye të PD-së pas një shkëputje prej 9 vitesh, do të jetë Gjykata ajo që do të thotë fjalën e fundit! Kjo sepse statuti i Partisë Demokratike është në Apel dhe pritet vendimi përfundimtar. Nëse gjyqtarja Blerina Muça do të lërë në fuqi vendimin e Agron Zhukrit, atëherë ai do të jetë kryetar legjitim i PD-së, në të kundërtën nëse vendimi i atij gjyqtari pa vetting do të hidhet poshtë, Berisha do të jetë thjesht një kryetar i zgjedhur nga një palë zgjedhje që i thirri vetë, e që do të jenë të pavlefshme.
Berisha nisi betejën e tij për të marrë drejtimin e partisë që themeloi vetë, pasi Lulzim Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar demokrat sepse u shpall ‘Non Grata’ nga SHBA për korrupsion e minim të demokracisë. Që nga 9 shtatori 2021, Berisha nisi një fushatë kundër Lulzim Bashës, duke bërë që ky i fundit të japë dorëheqjen, ndërsa PD u fut në një krizë nga e cila nuk ka dalë ende.