Nga Rafael Floqi
I riu shqiptaro amerikan “Robert Donovic (Rob Gjonaj) rizgjidhet në Këshillin e qytetit të Livonias, Michigan, duke marrë shumicën e votave. Puna e tij derë me derë me zgjedhësit edhe kësaj here ia vlejti. Mjaft bashkatdhetarë dhe mbështetës tij ishin grumbulluar të martën në darkë në One Under Banquet Hall në Livonia në darkën e fitores. Kjo fitore ishte me diferencë më të madhe nga të gjithë të zgjedhurit, pa u numëruar ende votat me postë dhe abstenimet, duke marrë gjithsej 12,402 vota.
“Ne, ia dolëm. Ne fituam rizgjedhjen!!! Faleminderit Zotit, familjes, ekipit dhe Livonias. Ne e arritëm këtë së bashku!” reagoi shqiptaro -amerikani Robert Gjonaj, pasi mori vesh rezultatin e fitores te tij, si i rizgjedhur në Këshillin e Qytetit të Livonias.
Në një shënim në Facebook Roberti i cili është dhe anëtar i Gardës së Michiganit, i cili gjatë vitit te kaluar e ka ndjekur edhe aktivitetin politik lokal te qytetit të tij Livonias ku banon, nga Iraku via Skype, duke marre pjesë në mbledhjet e këshillit që nga kazerma, kur të nesërmen në mëngjes i duhej të merrej si ushtar me zhvendosjen e trupave me helikopterët amerikanë në Lindjen e Mesme, në Irak, Kuvajt dhe Katar.
“Ishte një luftë e ashpër elektorale thotë aktivisti dhe mbështetësi i tij, Mark Gjokaj. Roberti kaloi tri netët e fundit të fushatës, duke fjetur vetëm tre orë dhe duke shkuar derë më derë. Ishte një ndeshje e vërtetë politike, jo vetëm me kundërshtarin e Partisë Demokrate, por edhe me Partinë Demokrate të shtetit të Michigan-it, e cila për këtë vend në Këshillin e këtij qyteti kishte vënë në dispozicion 10 mijë dollarë, vetëm e vetëm që Roberti të mos rizgjidhej. Por ky djalosh shqiptar me angazhimin e tij, ia doli mbarë. Në takimin e fitores kishte krahas zgjedhësve të tij amerikanë dhe mjaft shqiptarë të zonës e më gjerë, ku krahas Markut, shquheshin ish- kandidati për kongresist në 2016 për Michiganin, Xhon Goci, kryetari i shoqatës së re Jehona e Malësisë në Michigan, Vilson Sinishtaj dhe mjaft të tjerë.
“Nesër është dita e zgjedhjeve në Livonia!”, pat shkuar ai të hënën në Facebook. “Është surreale të jesh këtu, afër ditës së zgjedhjeve. Unë kam qenë shumë me fat që kam kaq shumë njerëz që më mbështesin, vullnetarë, që dhurojnë dhe votojnë për mua. Mundohem t’u them të gjithëve “Faleminderit”, por është pothuajse e pamundur, t’ua them të gjithëve që kanë qenë aty për mua. Familjes sime, miqve të mi, bizneseve familjare lokale, amerikanëve, shqiptarëve, të huajve, kolegëve, të gjithëve që më kanë mbështetur dhe mbështesin mua, ju vlerësoj sinqerisht të gjithëve”.
Ai është modest për atë që ka arritur dhe shton “Mund të them sinqerisht se kemi bërë gjithçka që mundëm, i lamë të gjitha, tejkaluam pengesat, takuam dhe ndërtuam miqësi të shkëlqyera dhe ndihmuam shumë njerëz të mirë. “ thotë ky djalosh shqiptar i angazhuar, në radhët e Rinisë Republikane, për të cilin vlerat e familjes janë përparësi.
“Unë kërkoj dy gjëra pat shtuar ai në një fjalor që ndryshon nga ai i luftës aktuale politike “ 1. Thuaj një lutje për të gjithë kandidatët që konkurrojnë, madje edhe konkurrentët e mi. 2. Votoni për mua. Oh, dhe një gjë tjetër! 3. Mësojini Luanët të luajnë futboll” , shton ai jo pa humor, duke iu referuar faktit që ekipi i Detroit “ Lions “është në fund të klasifikimit.
Në një intervistë në fillim të fushatës me ALBTV USA, Roberti u shpreh se si qëllim të tij për qytetin e tij këtë legjislaturë kishte “ eliminimin e godinave të vjetra të rrënuara, “blait” të atyre që të vrasin syrin, në qytetin e tij me një partneritet, publik privat, duke pasur dhe rezultate të dukshme në këtë drejtim. Në ndryshim nga parullat e së majtës radikale për denigrimin e forcave të rendit e shprehur me parullën “defund the police”, Roberti është përpjekur për të krijuar lehtësira në qytetin e tij, për punësimin e punonjësve të rendit dhe zjarrfikësve edhe në këto kohë të vështira.
Qëndrimi mbështetës për oficerët tanë të policisë dhe zjarrfikësit në Livonia është me rëndësi të madhe për Robertin, dhe këto nuk janë vetëm fjalë fushate. Ai vet ka dhënë shembullin e tij. Pas shërbimit në ushtrinë amerikane dhe kontributin në komunitet për disa kohë, shqiptaro-amerikani Robert Gjonaj, dy vjet më parë vendosi të vazhdojë misionin e tij, duke kandiduar për herë të parë në këshillin e qytetit të Livonias, Michigan, SHBA. Duke u bërë kështu kandidati më i ri në moshë në Këshillin e Bashkisë në Livonia. Edhe pse i ri, ai ka shërbyer në forcat e armatosura dhe si oficer rezervë i policisë.
Robert Gjonaj, Jim Jolly, Laura Toy, dhe Scott Morgan fituan të gjithë vende për Këshillin e Qytetit të Livonias në Zgjedhjet e Përgjithshme të 2 nëntorit 2021. Ishin shtatë kandidatë që konkurronin për katër vende. Donovic mori 16% të votave. Donovic u zgjodh për herë të parë në 2020.
“Një komunitet i sigurt është një komunitet i fortë, i cili ndihmon në tërheqjen e zhvillimit inovativ që është në përputhje me karakterin e Livonias. Nga na tjetër, sipas sitit të tij të zgjedhjeve “Rob dëshiron të punojë me zyrtarët e qarkut dhe departamentin të Departamentit të Punëve Publike për të ruajtur cilësinë e rrugëve të qarkut dhe qytetit në Livonia dhe për të forcuar infrastrukturën e qytetit.”
Roberti të thotë se ishte rritur për të qenë një shërbëtor i komunitetit si djali i një familje emigrantësh. Vullneti dhe pasioni për profesionin e kanë shtyrë shqiptaro-amerikanin të guxojë edhe më shumë. “ Unë do të punoj me gjeneratat e ndryshme me të moshuarit, me brezin e ri ( millenials), për të plotësuar nevojat e tyre në kuadër lokal, thotë ai, i cili ka bërë një punë të palodhur derë më derë. Ai këtë punë e vlerëson dhe si një nder për komunitetin shqiptar në Amerikë.
“Sinqerisht, është nderi më i madh i jetës sime,” shprehet ai. “Unë duhet të shërbej në komunitetin në të cilin jam rritur, në komunitetin që unë dua dhe gjithashtu i shërbej vendit ku familja ime emigroi vetëm 30 vjet më parë. Duke u rritur si fëmijë, gjithmonë kam ëndërruar të isha pjesë e ushtrisë amerikane.”
Vjet pavarësisht se kishte një diferencë prej shtatë orësh me vendin ku ishte caktuar me shërbim, Rob vazhdoi të ishte pjesë e mbledhjeve të këshillit virtualisht pasi mbledhjet që zakonisht zhvillohen në orë 19:00, ndërsa për Rob në Irak qe ora 2 e mëngjesit. Në fillim të vitit të kaluar këshilli i qytetit miratoi një urdhëresë që lejonte pjesëmarrjen në distancë në takimet për anëtarët e këshillit që po shërbejnë në ushtri. Donovic tha se ai nuk ishte në dijeni të ndonjë anëtari të mëparshëm të këshillit të Livonia që mund të ketë qenë në detyrë ndërsa njëkohësisht ishte në detyrë aktive ushtarake, por tha se situata e tij nuk është unike.
Roberti është i pasionuar për ruajtjen e ndjenjës së fortë të komunitetit në Livonia, përmes organizatave të komunitetit, duke përfshirë programet e artit dhe muzikës, dhe të parqeve të qytetit, duke siguruar që ne të vazhdojmë të tërheqim familje të reja dhe t’i joshim mijëvjeçarët që të zgjedhin Livonia-n si vendin për të bërë shtëpinë e tyre. Roberti punoi me shoqatat e lagjeve për të krijuar dhe mbajtur programe cilësore për angazhimin qytetar së të rinjve dhe qytetarëve të moshuar. “Tani , tha ia gjatë intervistës me ne , ka shumë njerëz që më njohin mua, më çojnë, e-maile apo vijnë në Këshillin e qytetit për të takuar për shqetësimet e tyre, pasi ata besojnë tek unë”.
Prindërit e Robertit kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara nga Malësia në vitet 1980. Familja e tij u vendos qysh në fillim në qytetin e Livonia-s. Michigan, duke punuar e fituar sa për të hapur edhe një restorant familjar, i cili më vonë do të “ndizte” ambiciet e Rob si një sipërmarrës. Ai dhe tre vëllezërit e tij të vegjël hynë në sistemin e Shkollave Publike Livonia, ku ai ndoqi Shkollën Fillore Johnson, Shkollën e Mesme “Frost” dhe mbaroi shkollën e mesme “Churchill” në 2010. Rob është një anëtar i ushtrisë, një ushtar këmbësorie, një oficer policie rezervë dhe djali i prindërve emigrantë që erdhën në Michigan në vitet 1980. Familja e Robit vazhdoi të fillonte një biznes familjar, ku ai do të punonte, kur nuk po luante futboll të ligës së vogël për Livonia Orioles ose për Churchill Chargers. Rob ndoqi Shkollat Publike Livonia që kur ishte student në Johnson Elementary përmes Schoolcraft College. Ai aktualisht shërben në Komisionin e Arteve të qytetit dhe është Zëvendës President i Zhvillimit të Komunitetit për Livonia Jaycees. Rob është anëtar i Dhomës lokale të Tregtisë, Rotary AM dhe Lions Club. Duke ndjekur rrugën e familjes së tij, Rob filloi biznesin e tij të vogël duke u përqendruar në zhvillimin e pronës. Detyra e kompanisë së tij është shit-blerja e pronave, banesave private dhe ato komerciale, rinovimi i tyre dhe vënia e tyre në treg. Përveç zotërimit të biznesit të tij, Donovic është menaxher i biznesit në restorantin e familjes së tij, “Darka e Qetë” që gjendet në Redford, Michigan.
“Për mua është krenari të shërbej edhe zgjedhësve shqiptarë në Livonia, pasi familjet tona erdhën pa asnjë gjë në xhep dhe sot janë intelektualë, juristë mjekë dhe kemi dhe të zgjedhurit tanë në rrafsh lokal dhe më lart. Tani është koha dhe unë e shoh këtë më shumë jo si avancim vetjak por si shërbim ndaj komunitetit tim.” Dikush që e ngacmon pse s’e ka ndërruar mbiemrin që reflekton periudhën e ish Jugosllavisë, ai të shton disi me turp, kam dashur ta bëj këtë, por nuk mundem tani, pasi jam regjistruar me këtë mbiemër në Ushtrinë Amerikane”.
Për të treguar patriotizmin e tij, të sinqertë ka një fakt interesant, vitin e kaluar në prag të 28 Nëntorit se kur ndodhej në Irak, Roberti më dërgoi fotografinë më flamurin shqiptar para një helikopteri amerikan që po e shihni. Me kë je aty e pyesim? Me një shok tim amerikan , i cili më pyeti se flamuri i cilit vend është ai. Është flamuri i vendit tim. Në Irak takova mjaft shqiptarë që punonin si kontraktorë, që sa panë flamurin erdhën e më takuan. Unë jam krenar se jam shqiptar, unë jam krenar që jam amerikan, shton ai .
Fakti që shumë përfaqësues të komunitetit shqiptaro- amerikan ndodheshin të martën mbrëma në ata takim në mbështetje të Robertit e tregon se edhe shqiptarët kërkojnë një brez të ri aktiv në politikën amerikane, ndoshta pa shumë zhurmë si disa kandidatë, por me pasion besim dhe këmbëngulje e patriotizëm si Roberti.