Rreziku nga koronavirusi – krijohen radhë të gjata tek fabrika e miellit në Prishtinë

Përballë përhapjes së mundshme të koronavirusit, qytetarët e Prishtinës kanë filluar të ndërmarrin masa paraprake.

Ndonëse epidemia e koronavirusit (COVIS-19) ende nuk ka prekur asnjë person në Kosovë, nga frika e përhapjes së koronavirusit, shumë qytetarë ia kanë mësyrë fabrikës së miellit.

Kështu tregon pamja e kolonave të automjeteve në afërsi të fabrikës së miellit “Euro Ver” në fshatin Barilevë të Prishtinës.

Insajderi ka kontaktuar me zyrtarë të kompanisë “Euro Ver”, të cilët kanë thënë për gazetën se radha e gjatë e qytetarëve që kishin shkuar të merrnin aty miellin e tyre në fabrikën e prodhimit të miellit, nuk është e zakonshme.

“Kemi punë shumë këtu, por kjo radhë e gjatë e mjeteve sot nuk është e zakonshme”, ka thënë një zyrtar i kompanisë “Euro Ver” për Insajderin.

I njëjti zyrtar është shprehur se qytetarët kanë ardhur të marrin grurin e tyre pas korrje-shirjeve të vitit të kaluar.

“Ata kanë ardhur të marrin grurin e tyre, secili pjesën e tyre”, kanë thënë nga fabrika e miellit në Barilevë.

Koronavirusi mbërriti të hënën në Shqipëri. 12 raste janë konfirmuar si të infektuar nga koronavirusi, nga qindra raste të dyshuara për COVID-19.