Shtatë bankat kryesore komerciale në Kosovë gjatë vitit të kaluar kanë fituar 118.4 milionë euro, apo 36 milionë euro, përkatësisht 53%, më shumë se gjatë vitit 2020.
Këto fitime marramendëse bankat i kanë shënuar gjatë vitit 2021, madje fitime shumë më të larta se që kanë shënuar gjatë dy dekadave të fundit , përderisa Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ditë më parë ka marrë vendim që bizneseve mos t’u shtrenjtohet rryma, përfshirë këtu edhe bankat.
Në anën tjetër, ekonomive familjare, të cilat shpenzojnë mbi 800 kilovatë energji elektrike në muaj rryma do t’i shtrenjtohet rreth 100%.
Raportet financiare të gjitha bankave komerciale dhe fitimet e tyre neto për vitin 2021 janë si në vijim:
“Raiffeisen Bank” mbi 26.3 milionë euro fitim neto vitin e kaluar
Banka austriake “Raiffeisen Bank” është banka që ka fituar më së shumti gjatë vitit 2021. Sipas pasqyrave financiare të këtij institucioni, kjo bankë gjatë vitit të kaluar ka fituar mbi 26.3 milionë euro. Këto fitime janë realizuar falë normave të larta të interesit në kredi, por edhe për shkak të shtrenjtimit të shërbimeve bankare, raporton Front Online.
Krahasuar me vitin 2020, gjatë vitit 2021 “Raiffeisen Bank” ka rritur fitimet e pastra për rreth 10 milionë euro.