Rusia e shfrytëzon edhe tragjedinë e pandemisë për të bërë propagandë në Serbi

“Nuk jeni vetëm, ju kemi ofruar dorën vëllazërore. Rusia ka dërguar njerëz, dhe këtë nuk mund ta zëvendësojë asnjë pajisje”, ka thënë gjenerali rus Mihail Chernishov me të arritur në Beograd në krye të ekipit rus “për të ndihmuar Serbinë në luftimin e koronavirusit”.

“Rusia nuk e ka lënë vetëm Serbinë në luftë kundër pandemisë së koronavirusit. Në këtë luftë populli serb, edhe pse i braktisur nga të tjerët, me siguri nuk është i vetmuar. Rusia ka dëguar vlerën e saj më të madhe – njerëzit e saj. Sepse nuk ka pajisje të cilat mund ta ndihmojnë dorën vëllazërore të Rusisë”, pretendon gazeta proqeveritare serbe “Novosti”, duke “ngritur në qiell” ardhjen e një ekipi ushtarak rus për të dezinfektuar disa objekte spitalore në Serbi.

“Menjëherë pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, me urdhërin e presidentit rus Vladimir Putin, një ekip ushtarak është nisur ta ndihmojë Serbisë”, pretendon gazeta duke shtuar se “ekspertët rusë me të arritur kanë nisur aksionin. Ata kanë kryer dezinfektimin e pikave kyçe të mbrojtjes shëndetësore”.

“Prej fillimit të këtij misioni jemi përfshirë në aksionin e dezinfektimit në institucionet shëndetësore në gjithë Serbinë. Vetëm në Beograd është kryer dezinfektimi i gjashtë objekteve shëndetësore. Këtë javë, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ushtrinë serbe, planifikojmë të kryejmë pastrimin e edhe 16 objekteve në të cilat janë vendosur të sëmurit nga koronavirusi”, ka thën gjenerali Chernishov.