Forcat ajrore ruse kanë pësuar humbjet më të mëdha në 14 muajt e fundit, pasi ushtria ukrainase arriti të rrëzonte katër avionë të tyre vetëm të shtunën, raporton Washington Post, duke cituar mediat ruse.
Dy avionë luftarakë dhe dy helikopterë luftarakë dyshohet se janë rrëzuar në kufirin ruso-ukrainas. Bëhet fjalë për një bombardues Su-35, një luftëtar Su-35 dhe dy avionë Mi-8 që ishin në një mision të përbashkët. Gazeta thekson se Kievi nuk e ka konfirmuar ende këtë informacion, por se avioni dyshohet se është rrëzuar pothuajse njëkohësisht jo shumë larg Brijanskut. Sipas informacioneve të para, bombarduesi dhe gjuajtësi duhej të kryenin një sulm në rajonin e Chernihiv dhe helikopterët u dërguan si mbështetje dhe për të nxjerrë ekuipazhin në rast të rrëzimit, por plani dështoi në mënyrë të palavdishme.
Rusia: Ne humbëm dy komandantë në Bahmut
Rusia tha të dielën se dy nga komandantët e saj ushtarakë u vranë në luftime pranë Bakhmutit. Në një njoftim të rrallë të viktimave në fushën e betejës, ministria ruse e mbrojtjes tha se komandanti i brigadës së 4-të të motorizuar Vyacheslav Makarov dhe zëvendës komandanti i forcave tokësore Yevgeny Brovko u vranë në luftime.
Koloneli Makarov u vra ndërsa brigada e tij zmbrapsi sulmet e trupave ukrainase në jug të vendbanimit Krasna, sipas një deklarate nga Ministria e Mbrojtjes.
“Dy sulme të armikut u zmbrapsën. Gjatë zmbrapsjes së sulmit të tretë, komandanti i brigadës u plagos rëndë dhe vdiq gjatë evakuimit nga fusha e betejës”, thonë rusët.
Brovko u vra ndërsa trupat ruse zmbrapsën sulmet ukrainase, tha ministria, duke thënë se ai “vdiq heroikisht, duke pësuar plagë të shumta nga predha”.