Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë, Igor Konashenkov, ka thënë se disa njësi ushtarake do të largohen nga zona kufitare me Ukrainën pas “përfundimit të misionit të tyre”.
Sipas komenteve të publikuara nga agjencia e lajmeve “Interfax”, zyrtari rus tha: “Njësi nga distriktet ushtarake jugore dhe perëndimore, që i kanë përfunduar misionet e tyre, tashmë janë duke u vendosur në trena dhe automjete dhe do ta fillojnë rilokimin në garnizonet e tyre sot. Njësi të ndara do të marshojnë në këmbë si pjesë e konvojeve ushtarake.”
“Një numër i ushtrimeve luftarake janë kryer sipas planit”, shtoi ai, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.
Megjithatë, Konashenkov tha se disa ushtrime janë ende duke vazhduar. “Forcat e Armatosura Ruse janë duke vazhduar një varg ushtrimesh të gjera për ushtrime operacionale të trupave dhe forcave. Praktikisht, të gjitha distriktet dhe flotat ushtarake dhe parashutistët janë duke marrë pjesë”, tha zëdhënësi rus.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, të martën do të qëndrojë në Moskë për t’u takuar me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në një mision të rëndësishëm për ta shmangur luftën. Partnerja më e madhe tregtare e Rusisë në Evropë ka paralajmëruar sanksione të mëdha, nëse Rusia e sulmon Ukrainën.