Kryeministri i Kosovës, Ramush Hardinaj në deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion ka deklaruar pasuri të paluajtshme afër 1 milion euro.
Ndërsa, prej kur ai ia rriti rrogën vetës, në fund të vitit 2017, keshi në llogarinë bankare iu shumëfishua.
Haradinaj ka deklaruar tri shtëpi, dy prej të cilave janë në emër të tij ndërsa Kulla në fshatin e tij në Gllogjan është në emër të përbashkët me familjarët.
Shtëpia e tij në Dragodan të Prishtinës, të cilën e Haradinaj e ka deklaruar se e ka lëshuar me qira, arrin shifrën e 300 mijë eurove. Siç ka deklaruar ai, ndërtimi i saj ka ndodhur në vitin 2001 me mjete vetanake dhe me ndihmë nga bashkëluftëtaret. Sipërfaqja e kësaj shtëpie është 950 metra katrorë.
Shtëpia në të cilën tash jeton kryeministri kosovar, në lagjen “Marigona”, që është e ndërtuar në vitin 2016, arrin shumën e 202 mijë eurove dhe ka hapësirë prej 500 metra katrorë. Sic ka deklaruar Haradinaj, këtë shtëpi e ka blerë me kredi dhe është në emër të tij.
Shtëpia e tretë e deklaruar nga Haradinaj është ajo në fshatin e tij në Gllogjan të Deçanit. Kulla arrin shifrën e 270 mijë eurove.
Si pasuri të paluajtshme ai ka deklaruar edhe një tokë kodrinore prej 200 hektarëve në vlerë prej 75 mijë eurove. Ndërsa, edhe një tokë- truall në vlerë prej 27 mijë e 300 euro e në sipërfaqe prej 21.50 ari.
Kryeministri i Kosovës ka deklaruar edhe një banesë në emër të vetin në vlerë prej 70 mijë euro në sipërfaqe prej 213 metra katrorë. Këtë banesë, sipas deklarimit, ai e ka blerë në vitin 2017, në të njëjtin vit kur edhe erdhi në krye të Qeverisë.
Pasuria e paluajtshme e deklaruar nga shefi i ekzekutivit arrin shifrën e 944 mijë eurove.
Si pasuri të luajtshme, i pari i Qeverisë ka deklaruar edhe një veturë por nuk ka treguar se çfarë marke është. Këtë veturë ai e ka të deklaruar në emër të bashkëshortes dhe vlera e saj arrin shifrën e 8 mijë eurove.
Para të gatshme të mbajtura në bankë, Ramush Haradinaj i ka të deklaruara 71 mijë e 720 euro e 20 cent.
E në krahasim të një viti më parë, Haradinajt iu rrit keshi në llogarinë e tij bankare. Në deklarimin e pasurisë për vitin 2017, ai i kishte të deklaruara vetëm 5 mijë e 49 euro e 55 cent.
Të hyrat vjetore të Ramush Haradinajt brenda një viti arrijnë shifrën e 108 mijë e 877 euro.
Paga mujore si kryeministër arrin shumën brenda një viti 32 mijë e 710 euro. Kështu është pasi ai ia rriti vetit rrogën pasi erdhi në krye të Qeverisë, sepse gjatë një viti më parë, ai nga paga e kryeministrit brenda një viti merrte vetëm 13 mijë e 568 euro.
Ndërsa Haradinaj merr edhe një pension invalidor nga buxheti i shtetit prej 2 mijë e 700 euro brenda vitit.
Nga qiraja e shtëpisë në Dragodan, Haradinaj brenda një viti merr 73 mijë e 467 euro.
Ndërsa, të hyrat vjetore të bashkëshortes së tij, Anita Haradinajt brenda një viti kalojnë shifrën e 30 mijë eurove.
Nga puna e saj në RTK, bashkëshortja e Haradinajt merr 7 mijë e 920 euro në vit, ndërsa 12 mijë euro ajo i ka deklaruar se i merr nga Agjencioni i marketingut “Vibe” dhe 12 mijë euro të tjera nga “ELSIG”.