Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka vendosur që të garojë përsëri për postin e dikurshëm.
Lushtaku do të kandidojë për kryetar të Skenderajt në zgjedhjet lokale më 2021.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai, gjatë një interviste në Rtv Dukagjini, të shtunën.
“Kam vendosur përsëri të kandidoj dhe t’i mbaroj projektet e lëna në gjysmë. Unë prej katër vitesh edhe pse kam pasur përkrahjen e qytetarëve nuk kam mundur të jem kryetar dhe t’i kryej obligimet që më takojnë”, tha ai.
Lushtaku, shef i Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, ishte tërhequr nga gara për kryetar në zgjedhjet e kaluara, pas paraqitjes së kandidaturës së Bekim Jasharit.
Por, mes Lushtakut e Jasharit ka pasur disa përplasje, që prej zgjedhjes së këtij të fundit në krye të Komunës së Skenderajt.