Eksperti i Ballkanit Oliver Jens Schmitt, në një intervistë për portalin gjerman të lajmeve “T-online”, thotë se këto trazira u drejtuan nga Serbia fqinje. Në këtë linjë, ai thotë se politika aktuale perëndimore ndaj Serbisë është e gabuar. Sipas tij, për Rusinë, ky përshkallëzim është një dhuratë. Dhuratë thotë të jetë edhe për Vuçiqin
Sfondi ishin zgjedhjet: Në qytetin serb të Zveçanit dhe në dy komunat përreth, kosovarët me origjinë shqiptare u vendosën në bashkitë – ndërsa popullsia serbe i kishte bojkotuar votimet. Kur kryetari i ri i Zveçanit u soll në qytet nën mbrojtjen e policisë, situata u përshkallëzua.
Drejtori shkencor i Departamentit të Kërkimeve Ballkanike të Akademisë Austriake të Shkencave, Oliver Jens Schmitt, thotë: Këto trazira u drejtuan nga Serbia fqinje. Në një intervistë, Schmitt shpjegon pse, si mund të vazhdojnë gjërat dhe çfarë duhet të bëjë BE-ja tani.
T-online: Z. Schmitt, situata në veri të Kosovës ka qenë jashtëzakonisht e tensionuar për muaj të tërë, pastaj erdhën zgjedhjet për kryetar komune. A nuk ishin të parashikueshme këto trazira?
Schmitt: Po, veçanërisht në lidhje me situatën e brendshme politike në Serbi. Në javët e fundit ka pasur demonstrata masive të krahasueshme me ato që çuan në përmbysjen e presidentit të atëhershëm Sllobodan Millosheviq para më shumë se 20 vjet. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ndodhet nën presion të madh. Ngjarjet aktuale në Kosovë janë një dhuratë politike për të. Ai tani vetëm mund të thotë: bashkatdhetarët tanë janë në rrezik, ne tani duhet t’i bashkojmë radhët. Në këtë drejtim, ai vuri në lëvizje të gjitha levat, ai e dislokoi ushtrinë në kufi dhe i përdori banditët e tij kundër trupave të KFOR-it.
T-online: Banditët e tij?
Schmitt: Këta shpesh nuk janë njerëz nga popullsia civile, por aktivistë të mirënjohur kombëtarë. Dhe dihet se qeveria e Vuçiqit mban struktura paralele në zonat e kontrolluara nga serbët në Kosovë. Pra, sigurisht që nuk do të kishte trazira të tilla masive, nëse Beogradi nuk e dëshiron këtë.
T-online: Franca, para së gjithash, e sheh përgjegjëse Qeverinë kosovare, por edhe fuqia mbrojtëse, SHBA-ja, u shpreh qartë, si dhe i bëri thirrje kryeministrit Albin Kurti për qetësi.
Schmitt: Kurti është konsistent – dhe nga këndvështrimi i tij ai vepron vetëm logjikisht. Ai kishte mbajtur zgjedhjet, ndërsa popullsia serbe nuk mori pjesë, por pakica e vogël e qytetarëve shqiptarë në këto zona mori pjesë. Ky është sigurisht një qëndrim legalist.
T-online: Edhe pse zgjedhjet u mbajtën në mënyrë demokratike, Kurti i shoqëroi kryebashkiakët në zona me polici. Kjo nuk është saktësisht depërshkallëzim.
Schmitt: Kurti u zgjodh me një premtim për ta zbatuar sundimin e ligjit. Ai ndryshon në këtë raport me paraardhësit e tij. Për të, kjo është çështje principi.
T-online: Por, me çka ai i ka kthyer tashmë kundër tij Francën dhe SHBA-në?
Schmitt: Sigurisht që problematike për Kurtin është se ai është tani kryeministri i parë kosovar që rrezikon një konflikt me Shtetet e Bashkuara, fuqinë mbrojtëse të vendit të tij. Kjo sigurisht që mund ta dobësojë atë brenda vendit, edhe nëse opozita aktualisht është pak e dukshme. Franca është më pak e rëndësishme për çështjen: qeveritë e saj nuk kanë qenë shumë të përfshira në Ballkanin Perëndimor, gjithmonë kanë qenë të kujdesshme ndaj shqiptarëve të Kosovës. Më duket e habitshme që SHBA-ja dhe Franca tani janë relativisht të njëanshme, duke e fajësuar Kosovën dhe mezi e kritikojnë Serbinë.
T-online: Çfarë mendoni, përse është kështu?
Schmitt: Kjo është një vazhdimësi logjike e politikës së dekadave të kaluara. Amerikanët, por edhe Qeveria gjermane e Angela Merkelit, prej vitesh llogarisin te Vuçiqi dhe “stabilokracia” e tij. Njerëzit duket se mendojnë: më mirë të kesh një sundimtar autoritar që është i aftë të hyjë në një pakt, sesa një politikan demokrat me të cilin mund të mos ketë marrëdhënie aq të mira. Kjo është thelbësore, veçanërisht në lidhje me çështjen e Kosovës. Kur bëhet fjalë për çështje kaq të ndjeshme, është më mirë të gjendet një zgjidhje me politikanë autoritarë, sesa me forca të moderuara, të cilat më pas bien nën presionin masiv të brendshëm. Kjo doktrinë vlen për Vuçiqin për shumë vjet. Ai nuk ia doli kurrë, vetëm gjithmonë luajti me shpresën e BE-së.
T-online: Shpresa të tilla kishte edhe në pranverë, kur Serbia dhe Kosova, nën udhëheqjen e BE-së, ranë dakord për një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve. Çfarë ka shkuar keq që atëherë?
Schmitt: Pyetja është: Sa sinqerisht janë të interesuara të dyja palët për një zgjidhje? Për shembull, Kurti është skeptik për planin se territoret serbe duhet të bëhen më autonome, edhe nëse Parlamenti i Kosovës e ka miratuar tashmë këtë plan. Ai dëshiron të parandalojë që një shtet të formohet brenda shtetit. Dhe për Serbinë, Kosova është një levë politike për të ushtruar presion politik ndaj Perëndimit. Nëse Vuçiq heq dorë nga kjo, ai e humbet rëndësinë. BE-ja do të këshillohej më mirë të ushtronte presion mbi Serbinë, sepse ajo gjithashtu ka levën e presionit në duart e saj.
T-online: Për shembull?
Schmitt: Do të mjaftonte të kërcënohej me tërheqje të liberalizimit të vizave për Serbinë. Kjo do të kishte pasoja katastrofike për Vuçiqin. Shumë nga bashkatdhetarët e tij jetojnë jashtë vendit dhe varen nga vozitja para dhe prapa – dhe e marrin këtë si të mirëqenë. Një levë tjetër do të ishte ekonomia, Serbia është kryesisht e varur nga BE-ja. Sepse duhet të mbani mend: Qeveria serbe nën Vuçiqin po agjiton masivisht kundër Perëndimit. Mediat janë me plotë dezinformata dhe propagandë ruse.
T-online: Serbia mban marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe të dyja vendet janë gjithashtu të afërta ideologjikisht. A luan një rol Kremlini në situatën aktuale?
Schmitt: Për Rusinë, ky përshkallëzim është një dhuratë. Kremlini është i interesuar të hapë sa më shumë fronte të jetë e mundur kundër BE-së. Serbia vazhdon të luajë. Vuçiq i mban konfliktet në Ballkan në vlim, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Bosnjë-Hercegovinë. Kështu që Perëndimi do të ishte mirë që ta vlerësonte këtë sistem në mënyrë të paanshme dhe të merrte parasysh se kush po mbahet në pushtet, me shpresën e paqartë për zgjidhjen e konfliktit të Kosovës – gjë që nuk ka ndodhur gjatë gjithë këtyre viteve. Në fund të fundit, Perëndimi mbështet një sundimtar autoritar me marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën, i cili provokon vazhdimisht Perëndimin. Me sa duket, kjo është pranuar si dëm kolateral me shpresën se ky njeri do të jetë më i aftë se forcat e tjera politike në Serbi. Megjithatë, kjo politikë bllokon çdo formë të demokratizimit dhe dobëson të gjithë ata njerëz që duan ndryshime demokratike në Serbi. Kjo politikë perëndimore e Serbisë është e gabuar.
T-online: Sipas vëzhguesve, situata në Kosovë aktualisht është më e pasigurt se sa ka qenë me vite. A do të vazhdojë të përshkallëzohet?
Schmitt: Vuçiq e di saktësisht se ku janë kufijtë. Protestuesit e kontrolluar që plagosin oficerët e KFOR-it duket se janë në një nivel tjetër në të cilin BE-ja nuk është e gatshme të përgjigjet më ashpër. Çdo gjë përtej kësaj, siç është hyrja e ushtarëve serbë në tokën kosovare, do të shkaktonte një përshkallëzim. SHBA-ja ka trupa në Kosovë që nuk do ta toleronin këtë. Dhe në një përplasje të tillë, Serbia vetëm mund të humbasë.
(Nga gjermanishtja: Sylë Ukshini)