Scholz në takim me Kurtin: Njohja e Kosovës është pjesë e dialogut

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis këtyre dy vendeve.

Duke iu referuar marrëveshjes së pritur midis tyre, Scholz tha se dokumenti do të ketë shumë detaje, por se do të përfshijë edhe njohjen e Kosovës.

Scholz i bëri komentet pas takimit në Berlin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Objektivi i dialogut të Brukselit [midis Kosovës dhe Serbisë] është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme midis dy vendeve, që u hap të dyja vendeve perspektivën e [anëtarësimit në] Bashkimin Evropian dhe kontribuon për stabilitetin rajonal”, tha Scholz.

Kurti, në anën tjetër, tha se “njohja reciproke duhet të jetë në qendër dhe jo në fund të procesit” të negociatave me Serbinë.

Ai tha se Kosova është “proaktive dhe konstruktive” në dialog dhe se po bën propozime që janë në përputhje me vlerat e Bashkimit Evropian.

“Ne jemi të përkushtuar për të arritur rezultate konkrete shpejt dhe në bashkëpunim të plotë”, tha Kurti në konferencën e përbashkët për media me kancelarin gjerman.

Scholz tha se është e rëndësishme që, në kohën kur Rusia po bën luftë në Ukrainë, Prishtina dhe Beogradi të punojnë që t’i zgjidhin mospajtimet.

Ai, po ashtu, u zotua se do të punojë me partnerët e BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Sa u përket periudhave kohore, ne nuk mund ta themi, sepse kjo varet nga organe të tjera, por ne jemi të interesuar që kjo të ndodhë shpejt”, tha Scholz.

Kancelari gjerman paralajmëroi edhe një vizitë në Kosovë, në kuadër të një turneu në shtetet e rajonit të Ballkanit.

Pas takimit me Kurtin, ai do të takohet edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Më pas, Kurti e Vuçiq pritet të takohen bashkë, me ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Më herët, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, tha se takimet, mes tjerash, “do të shërbejnë për të mbështetur dialogun Kosovë-Serbi, të udhëhequr nga BE-ja”.

 

Takimi i sotëm do të jetë i pari midis Kurtit dhe Vuçiqit që nga korriku i vitit të kaluar, kur palët janë takuar në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në Bruksel ka pasur disa përpjekje për të aranzhuar një takim të ri midis tyre, por deri më tani pa sukses.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka deklaruar më herët se nuk do t’i ftojë liderët e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, pa pasur tregues të qartë se në një takim të tillë do të arrihej përparim konkret.

Nga Qeveria gjermane kanë thënë së voni se Kosova dhe Serbia duhet të bëjnë përparime në procesin e dialogut.

Vuçiq deklaroi më 3 maj se “ka trembë” para udhëtimit në Berlin.

Ai tha se “druan” nga bisedimet me Scholzin dhe se nuk pret që ato “të jenë të lehta”, por nuk dha më shumë detaje.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, fillimisht në qershor, dhe më pas në korrik të vitit 2021. Asnjëri takim nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret.

Ngecjen në bisedime besohet se e kanë shkaktuar mospajtimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në vitin 2013, dy vendet kanë arritur marrëveshje për themelimin e këtij asociacioni, por zbatimi i saj në terren ka ngecur.

Kryeministri Kurti thotë se në Kosovë nuk mund të ketë asociacion njëetnik. Serbia insiston në formimin e tij.

Bashkimi Evropian, disa herë, u ka bërë thirrje palëve që t’i zbatojnë marrëveshjet e arritura.

Dy vendet janë të angazhuara në dialog qysh në vitin 2011 dhe kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre nuk kanë gjetur zbatim në terren./rel