Arnold Schwarzenegger ka folur pa dorashka në lidhje me abuzimin që kishte pësuar nga prindërit e tij në kohën kur ishte fëmijë, në dokumentarin e ri të Netflix, i titulluar “Arnold”.
Aktori 75-vjeçar u rrit në Thal të Austrisë nga babai i tij, Gustav, anëtar i partisë naziste dhe e ëma Aurelia, të cilën ai e cilëson, si një të “fiksuar pas pastërtisë”.
Në episodin e parë të dokumentarit, ikona e Hollywood tregon se si ishte për të dhe vëllanë e tij të rritej nga një ushtar nazist i dekoruar, i cili u kthye në Austri pas luftës si një burrë i thyer, gjë që startoi dhe dhunën në familje.
“Edukimi ynë ishte shumë i vështirë. Brutaliteti mbizotëronte në shtëpi, për shkak të rrahjeve që merrnim nga prindërit tanë ndonjëherë”.
Ish-guvernatori i Kalifornisë shpjegon se të gjithë fëmijët e qytetit të tij u rritën me efektet që shkaktoi lufta në çdo familje, pasi Austria u kthye në një vend burrash “të thyer”.
Arnoldi gjithashtu beson se babai i tij “tiran” mund të ketë vuajtur nga shqetësime të stresit post-traumatik dhe depresioni dhe këtë e tregonte dhe mënyrë sesi i rrihte fëmijët me rrip.
“Ai ulërinte në tre të mëngjesit dhe ne zgjoheshim dhe zemrat tona po rrihnin fort sepse e dinim se e keqja po vinte. Ai në çdo moment mund të godiste nënën ose të çmendej. Pra, kishte një dhunë të çuditshme”, rrëfen aktori.
Schwarzenegger shpjegon se babai i tij pas luftës u bë shefi i policisë së qytetit dhe të njëjtin rol e luante në shtëpi, sikur nuk donte t’ia hidhte askush. Ai zbulon disiplinën e rreptë, ku aktori kujton se iu thoshte që “edhe mëngjesin duhet ta fitoni”.
Ndërkohë që për nënën e tij shprehet se e pastronte shtëpinë me obsesion, duke u kujdesur që gjithçka të ishte e vendosur në mënyrë perfekte përndryshe do ‘të çmendej’.