Ish-inspektori i AKI-së dhe ish-zyrtari i AAK-së, Burim Ramadani, ka bërë publik Draftin që sipas tij është ai që e ka përgatitur Bashkimi Evropian. Ramadani thotë se në bazë të asaj që ka lexuar në Draft, Kosova duhet të marrë diçka të madhe në këmbim në mënyrë që të zbatohet ai draft, meqë është shumë i gjerë dhe shumë i thellë.
Ramadani thotë se Drafti është shumë serioz në kompetencat që ia jep Asociacionit dhe kompetencat që ia jep Serbisë për të funksionuar brenda Kosovës, sidomos në fushat e arsimit, shëndetësisë e kujdesit social.
“Kosova duhet të fitojë diçka të madhe në mënyrë që të zbatohet ky draft, sepse është shumë i gjerë dhe shumë i thellë. Është serioz në kompetencat që ia jep Asociacionit dhe serioz në kompetencat që ia jep Serbisë që të funksionoj brenda Kosovës, sidomos në arsim, shëndetësi, kujdesin social, financime, donacione e të ngjashme”, ka thënë Ramadani.
Ramadani ka thënë se Drafti i BE-së është ndryshe nga draftet e propozuara nga Edi Rama dhe nga organizata gjermane FES dhe shumë ndryshe nga Drafti i Serbisë.
“Është ndryshe nga ai i Edi Ramës, ndryshe nga ai i FES-it, dhe shumë ndryshe nga ai i Serbisë”, ka potencuar tutje ai.
Ramadani ka dhënë edhe detaje për Draftin e Asociacionit duke treguar se Asociacioni do të quhet “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”.
Ai ka treguar se selia e Asociacionit do të jetë në Mitrovicën e Veriut përpos nëse komunat anëtare s’vendosin ndryshe më vonë.
Në publikimin e tij, Ramadani thotë se Drafti përbëhet nga 45 nene dhe 7 kapituj dhe se ofron një kornizë vetëmenaxhuese për komunitetin serb, brenda nivelit ekzistues të vetëqeverisjes lokale dhe s’fiton kompetenca ekzekutive shtesë.
“Ka 45 nene dhe ka 7 kapituj. Ai ofron kornizë vetëmenaxhuese për komunitetin serb, brenda nivelit ekzistues komunal të vetëqeverisjes lokale dhe s’do të fitojë kompetenca ekzekutive shtesë në krahasim me komunat anëtare”, tregon Ramadani.
Sa i përket aspektit juridik, Ramadani potencon se Asociacioni ka personalitet juridik dhe kapacitet për të përmbushur objektivat e tij, përfshirë të drejtën për të poseduar prona të luajtshme e të paluajtshme, për të lidhur kontratat, për të paditur e për t’u paditur.
“Ka personalitet juridik dhe ka kapacitetin juridik për të përmbushur objektiva e saj, duke përfshirë të drejtën për të poseduar pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, për të pasur kompani në bashkëpronësi që ofrojnë shërbime lokale brenda fushës së Asociacionit, të lidhë kontrata, të padis dhe të paditet. Gjithashtu anëtarët e Asociacionit s’mund të transferojnë pronën e tyre të paluajtshme në pronën e Asociacionit”, thekson Ramadani.
Ish-anëtari i AAK-së ka thënë se sa i përket komuniteteve të tjera joserbe, ato duhet të përfaqësohen në të gjitha organet e Asociacionit, duke reflektuar diversitetin etnik të komunave anëtarë.
Gjithashtu ai ka treguar se Asociacioni do të krijoj simbolet e tij, që përfshijnë një flamur dhe një stemë.
“Komunitetet e tjera, pra joserbe, duhet të përfaqësohen ne të gjitha organet e Asociacionit, duke reflektuar diversitetin etnik të komunave anëtare. Asociacioni do të krijoj simbolet, që përbëhet nga një flamur dhe nga një stemë”, ka shtuar tutje.
Teka ka folur për bashkëpunimin e Asociacionit me agjencitë qeveritare, Ramadani thotë se përfshinë asistencën teknike dhe financiare me qëllim të zbatimit të kompetencave komuale.
Donacionet dhe pajisjet nga Serbia do të përjashtohen nga çdo taksë dhe detyrim.
“Asociacioni do të ketë të drejtë të bashkëpunojë me agjencitë qeveritare në Serbi për asistencë teknike dhe financiare, duke përfshirë pajisje në zbatim të kompetencat komunale. Donacionet dhe pajisjet nga Serbia do të përjashtohen nga çdo taksë dhe detyrim”, ka treguar tutje Ramadani, raporton Express.
Sipas Draftit që Ramadani thotë se është i BE-së, Asociacioni mund të “miratojnë rregullore, vendime, deklarata dhe udhëzime”.
Në videon e tij në Youtube, Ramadani ka thënë se Asociacioni do të menaxhojë me institucionet arsimore dhe shëndetësore që financohen drejtpërdrejt nga Serbia.
Ai ka përmendur se do të krijohen ofrues privat të shërbimeve në arsim dhe shëndetësi e që do të quhen “Rrejti arsimor serb i Kosovës dhe rrjeti shëndetësor serb i Kosovës”, e që do ta kenë kontribues financiar Serbisë. Këta dy ofrues privat do të menaxhohen nga Asociacioni.
“Gjithashtu Asociacioni do të menaxhojë institucionet arsimore dhe shëndetësore që janë financuar drejtpërdrejt nga Serbia. Rrjeti arsimor serb i Kosovës dhe rrjeti shëndetësor serb i Kosovës do të themelohen si ofrues privat të arsimit dhe shëndetësisë nën përgjegjësinë e Asociacionit, duke theksuar Serbinë si kontribuuesin financiar. Asociacioni do të menaxhojë funksionimin e këtyre ofrueseve”, ka thënë ndër të tjera Ramadani.