POLITIKE

Veteranët kërcënojnë me protestë më “të egër”

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk heqin dorë nga organizimi i protestave, përkundër që Ligji për pagën minimale tashmë është kontestuar në Kushtetuese dhe nuk do të ketë dekretim të tij pa vendim të Gjykatës. Përfaqësuesit e organizatës së veteranëve kanë thënë se nuk do të lejojnë as mbajtjen e seancave e as punën e zyrtarëve të Qeverisë. Madje kanë bërë thirrje për protesta më “të egra” me qëllim të arritjes së qëllimeve të tyre

Premtimi i presidentes se nuk do ta dekretojë Ligjin për pagën minimale nuk i ka bindur veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që të heqin dorë nga veprimet e tyre kundërshtuese. Protesta e 26 korrikut dhe bllokimi i mbajtjes së seancave plenare janë ende opsione reagimi për veteranët, pavarësisht se Ligji i cili i ka përjashtuar ata nga rritja e pensionit në shkallë të pagës minimale, ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Gazmend Syla, kryetar i OVL të UÇK-së në Pejë, thekson se kundërshtitë e tyre do t’i vazhdojnë për të treguar se nuk lejojnë të nëpërkëmbet dinjiteti i tyre.

“Organizata e veteranëve të luftës ka marrë vendim që ta kundërshtojmë mbajtjen e çdo seance që thirret nga Kuvendi i Kosovës. Qëndrimi i presidentes për të mos e dekretuar ligjin deri në vendim të Gjykatës Kushtetuese neve nuk na i zbeh qëndrimet tona. Do të jemi stoikë në qëndrimet që i kemi për realizimin e të drejtave tona”, ka thënë Syla.

Të domosdoshme i sheh protestat edhe Emin Lati, kryetar i OVL të UÇK-së në Skenderaj, i cili thotë se për hapat e mëtutjeshëm krerët e OVL-së e ata të organizatave të tjera të dala nga lufta do të mbajnë një takim të hënën.

“Ne do t’i ndjekim edhe rrugët ligjore sa i përket Ligjit dhe vlerave të luftës por protestat janë të pashmangshme sepse na kanë gënjyer shumë herë. Të hënën ka mbetur të ulemi të diskutojmë dhe të shohim se çka po bëjmë më tej. Po për momentin fjalët janë që më 26 korrik do ta mbajmë protestën që t’i bllokojmë seancat”, ka thënë Lati.

Kryeministri Albin Kurti, të premten ka thënë se çështja e veteranëve mund të zgjidhet vetëm me dialog. Por në OVL të UÇK-së thonë se prej qershorit të vitit të kaluar, asnjëherë nuk janë ftuar për takim nga kryeministri, ndonëse shprehen të gatshëm për të.

“Komunikim me Qeverinë Kurti, përkatësisht me kryeministrin Kurti nuk kemi pasur që nga qershori i vitit të kaluar. Kjo Qeveri prej që e ka marrë mandatin është në kundërshtim me të gjitha vlerat e UÇK-së”, ka thënë Syla.

Ndërkaq, Lati është shprehur se protestat e ardhshme duhet të jenë më radikale, meqë paqësoret që i kanë bërë deri tash, sipas tij, nuk janë marrë parasysh.

“S’po më duket krejt e arsyeshme me u bo protestë e qetë, sepse na kanë shkelur fort dhe na ka mbetur edhe treni i fundit për me vendosë për vlerat tona. Na ka mbetur treni i fundit e duhet pak me i ndezë motorët edhe ndoshta me e bo një protestë edhe më të egër, të mos i lëmë deputetët të hynë brenda, të mos i lëmë qeveritarët të hynë brenda nëpër zyrat e veta”, ka theksuar ai.

E ndaj deklaratave të kryeministri Kurti se duhet të ketë një spastrim të listave të veteranëve, Lati i është kundërpërgjigjur duke thënë se nëse ka interesim këtë mund ta bëjë në bashkëpunim edhe me komandantët e luftës.

“Duhet t’i thërrasë komandantët e zonave, të brigadave, të batalioneve që të ulen të bisedojnë dhe t’i vendosin gjërat në terezi. Ai e ka këtë mundësi, edhe parlamenti e ka mundësinë ta bëjë këtë gjë. Tash të shohim si po sillet situata. Por ne protestat me i ndalë, jo”, ka shtuar ai.

Kundërshtitë e veteranëve me protesta kanë nisur pas miratimit në lexim të dytë të Ligjit për pagën minimale dhe pas publikimit të disa audioincizimeve, në të cilat shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dëgjohet duke folur me përfaqësues të Listës Serbe dhe duke e pranuar se në një rast ka komunikuar edhe me Milan Radojçiqin, i cili ndodhet në kërkim, si i dyshuar për pjesëmarrje në vrasje të Oliver Ivanoviqit.

Të premten, një javë pas miratimit në Kuvend, AAK-ja e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Pagën Minimale. Pas këtij veprimi nga Presidenca, janë deklaruar se nuk do të ketë dekretim të Ligjit deri në vendim të Kushtetueses. Mosdekretimi i tij ka qenë kërkesë e veteranëve në protestën e kaluar, të shtunën e 15 korrikut.

Për shumë vjet, paga minimale është caktuar në kufijtë e 130, përkatësisht 170 eurove. Në këtë nivel janë paguar edhe veteranët e luftës të UÇK-së. Por, për shkak të dyshimeve se numri i tyre është rritur për qëllime elektorale – nga diku 13 mijë në afro 60 mijë, ka pas një përpjekje hetimi për të zbardhur se kush janë “veteranët e rrejshëm” dhe me urdhër të kujt janë fryrë listat. Numri më i madh është rritur në Dukagjin – nga afro 1.500 sa kanë qenë në shumicën e regjistrave zyrtarë, në afro 12 mijë që aktualisht janë përfitues të pensionit.


FM IMAGES

FM IMAGES ALBANIA - Copyright © 2025 e-mail: info@fmimages.net. All Rights Reserved.

Recent Posts

  • POLITIKE

Pjesëmarrja në zgjedhjet e djeshme, më e ulëta në pesë ciklet e fundit zgjedhore

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura dje në Kosovë kanë regjistruar pjesëmarrjen më të ulët…

3 orë ago
  • KRYESORE

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe AAK 7.10%

Numërimi i afrohet 100 përqëindëshit: LVV 43,03 %, PDK 21.21 %, LDK 17.68 % dhe…

14 orë ago
  • FOTO&VIDEO

Afro 20 për qind të votave të numëruara, prin VV’ja

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të prijë në rezultatet preliminare të procesuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve…

17 orë ago
  • KRYESORE

Zgjedhjet në Kosovë – Exit Polli i Albanian Post në T7: VV’ja 43%, PDK 22, LDK 18 dhe AAK 7

Sot në Kosova janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare. Lidhur me këtë,  është publikuar Exit…

18 orë ago
  • KRYESORE

Narrativa të fabrikuara: Si u deformuan protestat për Zvërnecin

Pamje të nxjerra jashtë kontekstit, imazhe të krijuara me Inteligjencë Artificiale dhe narrativa gjeopolitike u…

1 ditë ago
  • FOTO&VIDEO

Rama ironizon protestuesit në Zvërnec: Mos ua prishni flamingove plazhin me makina dhe kanoçe birre

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me ironi në rrjetet sociale pas protestës e cila u…

1 ditë ago