Me një mbështetje nga dy partitë, Senati amerikan miratoi projektligjin për mbrojtjen që autorizon një shumë rekord prej 886 miliardë dollarësh shpenzime ushtarake vjetore.
Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, NDAA, përfshin gjithçka, që nga rritja e pagave për trupat, e deri tek blerjet e anijeve, municioneve dhe avionëve, si dhe politika të tilla si masat për të ndihmuar Ukrainën.
Udhëheqësi i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schummer tha para votimit se projekligji do të sigurojë që ushtria amerikane në çdo kohë do të jetë në nivelet më të larta në të gjithë botën dhe se Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë të palëkundura përpara Kinës dhe Rusisë.
Në Senatin prej 100 anëtarësh vetëm 13 vota ishin kundër projektligjit. Dhoma e Përfaqësuesve pritet ta miratojë atë në fund të kësaj jave dhe më pas do të kalojë në Shtëpinë e Bardhë ku Presidenti Joe Biden pritet ta nënshkruajë.