Senatorët amerikanë i kanë dhënë një tjetër goditje presidentit Joe Biden, lidhur me miratimin e projektligjit për të drejtën e votës.
Demokratët pretendojnë se shumë shtetas, kryesisht afro-amerikanë dhe latinë nuk kanë të drejta të barabarta për të votuar si bashkëkombësit e tjerë, duke sulmuar shtetet konservatore si diskriminuese.
50 senatorët republikanë votuan kundër miratimit të projektligjit së bashku me dy senatorët demokratë Joe Manchin dhe Kyrsten Sinema.
Që projektligji të kalonte do të duheshin të paktën 60 vota.
Në një reagim të tij, në rrjetin social Twitter Biden u shpreh se ishte i zhgënjyer nga votimi, por ai premtoi se nuk do të ndalej.
Biden: Jam thellësisht i zhgënjyer që Senati nuk mbrojti demokracinë tonë. Jam i zhgënjyer, por nuk do të ndalem. Ne do të avancojmë me legjislacionin e nevojshëm për të mbrojtur të drejtën themelore të votimit.
Kreu i grupit republikan të Senatit, Mitch McConnell deklaroi se shqetësimi është i gabuar, pasi personat që sipas demokratëve u është mohuar e drejta e votimit, kanë votuar njësoj si të tjerët.
Mitch McConell: Shqetësimi është i gabuar. Nëse shikoni statistikat, votuesit afrikano-amerikanë votojnë në përqindje po aq të lartë sa e gjithë Amerika. Në një sondazh të fundit, 94 % e amerikanëve deklaruan se ishte e lehtë të votohej, prandaj ky nuk është problem. Pjesëmarrja është rritur, ndoshta më e madhja që prej vitit 1900.
Senati amerikan është i ndarë 50 me 50, por demokratët kanë 1 votë me shumë përmes nën-presidentes Kamala Harris, megjithëse dy nga senatorët e kësaj partie kanë votuar kundër Biden.