Në 22-vjetori e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kuvendi i Kosovës është duke mbajtur seancë të veçantë.
Por ministrat e komunitetit serbë nuk i janë përgjigjur ftesës për të qenë pjesë e kësaj seance.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Dalibor Jevtiq, dhe ministri për Zhvillim Rajonal, Ivan Millojeviq, nuk janë duke marrë pjesë në kujtimin e Epopesë së UÇK-së.
Po ashtu, as deputetët serbë nuk janë parë në këtë seancë.
Ndryshe, kryeministri Albin Kurti në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të 22-vjetorit të Epopesë së UÇK-së, ka thënë se rënia heroike e kryekomandantit Adem Jashari dhe familjes së tij është pikë kthese në historinë e Kosovës.
“Rënia e tyre shpërfaqi fytyrën e vërtetë të shtetit serb si asnjëherë më parë”, tha Kurti.
Ai më tej tha se pa luftën dhe qëndresën e Jasharëve nuk do të kishte UÇK.
Kurti tha se për Jasharët flijimi i tyre nuk ishte diçka e jashtëzakonshme, dhe se me Jasharët çuditen vetëm ata që nuk e dinë historinë e tyre.