Avokati nga Shqipëria, Spartak Ngjela, ka folur rreth çështjes së dialogut Kosovë-Serbi dhe idenë e prekjes së territoreve.
Ai ka thënë se politika ruse dhe serbe ka nisur këtë ide, për shkak se frika e tyre më e madhe është bashkimi kombëtar Kosovë-Shqipëri, e pastaj që i paraprin bashkimit zinxhiror të territoreve tjera shqiptare.
“Duhet të theksojmë një gjë: frika më e madhe e politikës aktuale serbe dhe ruse është pikërisht bashkimi kombëtar Shqipëri – Kosovë. Ata janë koshientë se, pas këtij bashkimi, fillon një proces zinxhir për bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare të ish Jugosllavisë, të cilat tani banohen nga shqiptarët etnikë”, ka thënë ai.
Ngjela ka theksuar se rusët dhe serbët e ngrenë si termë “Shqipërinë e Madhe”, duke thënë se po rilind, për shkak se duan të evokojnë një rikthim të Shqipërisë në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.
“Prandaj kjo është arsyeja që vijimisht, si serbët edhe rusët, ngrenë si një çështje akute “Shqipërinë e Madhe që po rilind”. Dhe jo pa qëllim, sepse ky term ka qenë term i fashizmit, dhe këtë duan ta evokojnë si rikthim të Shqipërisë në përiudhën e Luftës së Dytë Botërore. Përveç kësaj, duke e ditur se një nga arsyet pse Perëndimi ishte kundër çështjes shqiptare në vitin 1912 – që ishte islamizmi shqiptar që ata e quanin si turqizëm ballkanik – po shohim që, edhe sot, ata po kësaj burie po i bien. Po ta shohësh me vëmendje, edhe sot, me hoxhallarë, e me të shitur nga gazetaria, madje edh nga bota akademikë, në Shqipëri dhe në Kosovë; të gjithë bashkë janë ngritur si zëra kundër Perëndimit, madje, edhe kundër heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut. A i keni dëgjuar? Të gjithë të paguar nga Beogradi dhe nga Moska janë. Por asgjë nuk mund të bëjnë dot, se janë vox clamantis in deserto – zë në shkretëtirë”, u shpreh avokati Ngjela