Serbia që nga 18 shkurti e deri më tre mars nuk ka respektuar asnjë deklaratë të Këshillit Evropian (KE) në lidhje me luftën në Ukrainë, që nga fillimi i invazionit të Rusisë në atë vend.
Bashkimi Evropian (BE) ka lëshuar së paku nëntë deklarata në lidhje me luftën në Ukrainë që nga 18 shkurti, mirëpo Serbia nuk ka pranuar asnjërën nga to.
Më 18 shkurt, KE miratoi të parën në një seri prej nëntë deklaratash, duke dënuar “situatën në Ukrainën lindore dhe grumbullimin e forcave ushtarake ruse” brenda dhe pranë kufirit.
“Mbledhja e forcave të armatosura të Rusisë në dhe rreth Ukrainës është ende një shkak për shqetësim serioz. Bashkimi Evropian po i bën thirrje Rusisë që të qetësojë tensionet duke tërhequr ndjeshëm forcat e saj ushtarake nga zona në kufirin me Ukrainën”.
“BE-ja dënon përdorimin e armëve të rënda dhe granatimet pa dallim të zonave civile, të cilat janë shkelje të qarta të Marrëveshjes së Minskut dhe ligjit ndërkombëtar humanitar. E përgëzojmë Ukrainën për qëndrimin e saj të përmbajtur, pavarësisht provokimeve të vazhdueshme dhe përpjekjeve për të destabilizuar atë vend”, shkruan ndër të tjera në deklaratën e BE-së të datës 18 shkurt.
Përveç Serbisë, të gjitha vendet anëtare dhe vendet kandidate e kishin mbështetur këtë deklaratë të BE-së.
“Vendet kandidate si Turqia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria, Procesi i Stabilizim Asociimit dhe kandidati potencial Bosnja dhe Hercegovina (BeH), vendet e EFTA që i përkasin Zonës Ekonomike Evropiane Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia, si dhe Ukraina, Republika e Moldavia dhe Gjeorgjia pajtohen me deklaratën e KE-së”.