Për profesorin në Universitetin “Johns Hopkins”, Daniel Serwer, është më se e qartë që në arenën gjeopolitike, Serbia ka zgjedhur anën e Rusisë dhe Kinës – Lindjen para Perëndimit.
Në një prononcim për Zërin e Amerikës, Serwer ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të ushtrojnë ndikim më të madh për ta larguar Serbinë nga ndikimi rus.
“Unë nuk besoj se ajo po ulet në dy apo tre karrige. Ajo është ulur në një karrige, që unë e quaj të Lindjes, pra në anën e Kinës dhe Rusisë”.
Megjithatë, ai mendon se SHBA-të nuk po e shohin apo nuk po duan ta pranojnë se Serbia është shndërruar në një vegël të Rusisë dhe për këtë arsye, mendon Serwer, se nëse Uashingtoni është realist, do të kishte mundësi të ushtronte më shumë ndikim.
Ndërkaq, duke komentuar vendosjen e barrikadave nga serbët lokalë në pjesën veriore të Kosovës si shenjë proteste ndaj arrestimit të ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç, Serwer potencoi se Shtëpia e Bardhë duhet të heqë dorë nga qasja për t’u bërë presion të dyja palëve – Kosovës dhe Serbisë – dhe të bëhet shumë më i ashpër me Beogradin.
“Bllokadat në veri duhet të hiqen. Duhet bërë diçka për t’i vënë individët në veri para përgjegjësisë për atë përshkallëzim”.
Gjithashtu, profesori është ndalur edhe tek plani franko-gjerman (evropian), i cili, sipas tij, duhet parë në varësi të mënyrës se si trajtohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Sipas mendimit tim, asociacioni i komunave me shumicë serbe do të shihej krejtësisht ndryshe nga autoritetet në Prishtinë, nëse Serbia njeh Kosovën. Në kontekstin e mosnjohjes, asociacioni duket si një përpjekje e Serbisë për të ruajtur alternativën për të marrë territor nga Kosova”.
Diplomatët perëndimorë, vë në pah Serwer, e kanë të qartë që nëse Serbia dëshiron Asociacionin, ajo fillimisht duhet të njohë pavarësinë e Kosovës dhe përderisa “Serbia nuk është gati për njohje, kjo do të thotë që Prishtina nuk është e gatshme për Asociacionin”.
“Nuk do të komentoj për emra të veçantë, por e di që kjo është e kuptuar mirë mes diplomatëve të mirëinformuar, që krijimi i asociacionit kërkon njohje (nga Serbia të Kosovës)”.