SHBA dërgon afro 3 mijë trupa në Evropën Lindore

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë afro 3,000 trupa në Poloni dhe Rumani gjatë ditëve të ardhshme, përballë atij që Uashingtoni e cilëson si kërcënimi rus për të pushtuar Ukrainën, thanë të mërkurën zyrtarë amerikanë.

Pentagoni tha se ky veprim është një sinjal i gatishmërisë së Sheteve të Bashkuara për të mbrojtur aleatët e NATO-s.

Me dislokimin e këtyre trupave si edhe vendosjen e 8,500 trupave në gatishmëri të lartë muajin e kaluar për t’u dërguar në Evropë nëse është e nevojshme, Shetet e Bashkuara synojnë të qetësojnë aleatët e NATO-s përballë grumbullimit të mbi 100, 000 trupave ruse pranë Ukrainës.

Rusia, nga ana e saj, sinjalizoi se nuk ishte e prirur për kompromis kur ironizoi Britaninë, duke e quajtur kryeministrin Boris Johnson “thellësisht konfuz” dhe duke folur për “marrëzinë dhe injorancën” e politikanëve britanikë.

Moska mohon të ketë plane për të pushtuar fqinjin e saj, por thotë se mund të marrë masa të papërcaktuara ushtarake nëse kërkesat e saj nuk përmbushen, mes së cilave një premtim nga NATO-ja të mos ta anëtarësojë kurrë Ukrainën.

Pentagoni tha se 1700 trupa do të vendosen në Poloni dhe 300 të tjera në Gjermani. Rreth 1,000 trupa që ndodhen në Gjermani do të dërgohen në Rumani.

Pentagoni tha se nuk përjashtonte dërgimin e trupave të tjera, përveç atyre të njoftuara të mërkurën.

“Është e rëndësishme që t’i dërgojmë një sinjal të fortë zotit Putin dhe botës se NATO-ja është e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe për aleatët tanë,” tha zëdhënësi i Pentagonit John Kirby në një konferencë shtypi.

Ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Mariusz Blaszczak tha se dislokimi i trupave ishte një sinjal i fortë solidariteti. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg po ashtu e përshëndeti vendimin, duke thënë se përgjigja e aleancës ndaj Rusisë ishte mbrojtëse dhe proporcionale.

Vendet perëndimore i cilësojnë kërkesat kryesore të Rusisë si të papranueshme, ndërsa Moska nuk ka dhënë asnjë shenjë se do të heqë dorë prej tyre.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se do të diskutonte për krizën me Presidentin amerikan Joe Biden brenda disa orësh dhe nuk përjashtoi mundësinë e një udhëtimi në Rusi për t’u takuar me presidentin rus Putin.

“Përparësi është shmangia e rritjes së tensioneve”, tha zoti Macron.

Kremlini tha se presidenti Putin i tha kryeministrit britanik Johnson se NATO-ja nuk po u përgjigjej në mënyrë të përshtatshme shqetësimeve të saj të sigurisë.

Zyra e zotit Johnson tha se ai i kishte thënë zotit Putin se ndërhyrja në Ukrainë do të ishte një “përllogaritje e gabuar tragjike” dhe se ata kishin rënë dakord të angazhoheshin në një “frymë dialogu”.

Të martën zoti Johnson akuzoi Rusinë se i po mbante “pistoletën në kokë Ukrainës”, çka nxiti një përgjigje me sarkazëm nga zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov përpara bisedës telefonike të zotit Johnson me zotin Putin. Zoti Johnson e ndryshoi orarin e bisedës telefonike për t’iu përgjigjur pyetjeve në parlament në lidhje me akuzat se personeli i tij kishte shkelur rregullat e lidhura me COVID-19.

“Rusia dhe Presidenti Putin janë të hapur për të komunikuar me të gjithë”, tha zoti Peskov. “Edhe me dikë që është krejtësisht i hutuar, ai (zoti Putin) është i përgatitur të japë shpjegime shteruese”.

Ministria e Jashtme e Rusisë ironizoi sekretaren e Jashtme britanike, Liz Truss, duke thënë se Londra po dërgonte si furnizime për “aleatët e saj baltik përtej Detit të Zi, dy pellgje ujore, që ndodhen në anën e kundërt të Evropës.

“Zonja Truss, njohuritë tuaja mbi historinë nuk janë asgjë në krahasim me njohuritë tuaja mbi gjeografinë”, shkruante zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova në një postim në blog. “Nëse dikush ka nevojë të shpëtohet, kjo është bota, që duhet të shpëtojë nga marrëzia dhe injoranca e politikanëve britanikë”.

Një ditë më parë, Presidenti Putin tha se Rusia po detyrohej të mbrohej nga agresioni i SHBA-së. Në komentet e tij të para publike këtë vit në lidhje me krizën në Ukrainë, ai tha se Uashingtoni po përpiqet ta nxisë Moskën që të futet në luftë, duke këmbëngulur në mundësinë që Ukraina të mund të anëtarësohet në NATO.

“Tashmë është e qartë se shqetësimet themelore ruse janë injoruar”, tha zoti Putin të martën. Duke folur mbi një skenar sipas të cilit Ukraina i bashkohet NATO-s dhe më pas sulmon forcat ruse, ai pyeti:

“A duhet të shkojmë në luftë me bllokun e NATO-s? A e ka menduar dikush këtë? Me sa duket jo”.

Uashingtoni ka thënë se nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë për ta mbrojtur atë nga një sulm rus, por do të vendosë sanksione financiare mbi Moskën dhe do të dërgojë armë për të ndihmuar ukrainasit të mbrohen.

Rusia, që vazhdon të jetë furnizuesi kryesor i Evropës me energji pavarësisht se është nën sanksionet e SHBA-ve dhe BE-së, që nga aneksimi i Krimesë nga Ukraina në vitin 2014, e minimizoi rëndësinë e sanksioneve shtesë duke e quajtur një kërcënim bosh.