Një delegacion i Kongresit Amerikan ka mbërritur të dielën për një vizitë dyditore në Tajvan, gjatë së cilës do të takohen me presidentin Tsai Ing-wen, grupi i dytë i zyrtarëve të lartë amerikanë që ka mbërritur atje në mes të tensioneve ushtarake me Kinën fqinje.
Pekini, i cili pretendon Tajvanin demokratik si territorin e tij, ka mbajtur stërvitje ushtarake rreth ishullit prej disa kohësh për të shprehur zemërimin për vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA, Nancy Pelosi në Taipei këtë muaj.
Ambasada de facto e SHBA në Taipei njoftoi se delegacioni drejtohet nga senatori Ed Markey, i cili mbërrin i shoqëruar nga katër përfaqësues të tjerë si pjesë e një vizite më të gjerë në rajonin Indo-Paqësor.
Zyra presidenciale e Tajvanit njoftoi se zyrtarë të lartë amerikanë do të takohen me Presidentin Tsai të hënën në mëngjes.
“Në një kohë kur Kina po rrit tensionet në ngushticën e Tajvanit dhe në rajon me stërvitjet e saj ushtarake, Markey drejton një delegacion për të vizituar Tajvanin, gjë që tregon edhe një herë mbështetjen e fortë të Kongresit të SHBA për Tajvanin”, thuhet në deklaratë.
Ministria e Punëve të Jashtme të Tajvanit publikoi foto të zyrtarëve amerikanë që priten nga mikpritësit e tyre në aeroportin Songshan në qendër të Taipeit, të cilët mbërritën me një aeroplan transporti të Forcave Ajrore të SHBA.
Presidenti i Tajvanit Tsai Ing-wen tha të enjten se kërcënimi i Kinës me forcë nuk ishte zbutur, edhe pse stërvitjet më të mëdha ushtarake të Pekinit rreth ishullit fillimisht dukej se po mbylleshin.
Qeveria në Taipei thotë se për shkak se Republika Popullore e Kinës nuk e ka sunduar kurrë ishullin, ajo nuk ka të drejtë ta pretendojë atë apo të vendosë të ardhmen e tij, e cila mund të përcaktohet vetëm nga populli i Tajvanit.
Qeveria e mundur e Republikës së Kinës iku në Tajvan në vitin 1949 pasi humbi një luftë civile ndaj Partisë Komuniste të Mao Ce Dunit, e cila themeloi Republikën Popullore të Kinës në Pekin.
Kina nuk e ka braktisur kurrë përdorimin e forcës për të vënë nën kontrollin e saj Tajvanin demokratik.