SHBA-ja ka mirëpritur aktgjykimin në rastin kundër Salih Mustafës të premten nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, ka bërë të ditur zëdhënësi i Departamentit të Shtetit (DASH), Ned Price.
Ai ka publikuar në Twitter reagimin e DASH-it pas vendimit që Mustafa të dënohet me 26 vjet burgim, ku thuhet se aktgjykimi është një hap i fortë drejt ndihmës së Kosovës për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të siguruar drejtësi për viktimat.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin në rastin kundër Salih Mustafës, rasti i parë në Dhomat e Specializuara të Kosovës që përfshin akuza për krime lufte. Mustafa, një ish-komandant në njësinë Guerile të BIA-s të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), u dënua për krimet e luftës, të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes të kryera në një vend të paraburgimit dhe marrjes në pyetje të BIA-s në vitin 1999 dhe u dënua me 26 vjet. Siç theksoi Trupi Gjykues, vendimi nuk është aktgjykim kundër UÇK-së apo Kosovës, por ka të bëjë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të të pandehurit. Ky aktgjykim është një hap i fortë drejt ndihmës së Kosovës për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të siguruar drejtësi për viktimat. Ne gjithashtu përgëzojmë guximin e viktimave dhe dëshmitarëve individualë që dolën përpara dhe dënojnë kërcënimet dhe frikësimet me të cilat janë përballur. Pa këta individë të guximshëm, drejtësia nuk do të ishte e mundur”, thuhet në reagimin e DASH-it.
Në Kosovë vendimi i Speciales për Mustafën nuk është pritur mirë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar të premten në Facebook duke e quajtur të papranueshëm dënimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, nga Gjykata Speciale, përderisa mijëra vrasës nga Serbia as s’janë dënuar a gjykuar për krimet e tyre në Kosovë e Ballkan.
Në një shkrim në Facebook, Kurti ka thënë se “lufta e çdo populli kundër pushtuesve e okupatorëve është e drejtë universale”.