Zyra e Kontrollit për Pasuritë e Huaja e Departamentit të Thesarit, ka targetuar rrjetet e korrupsionit dhe krimit të organizuar në disa vende në Evropë dhe Hemisferën Perëndimore, në meisn e të cilëve është edhe Zvonko Veselinoviq dhe grupi i tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë.
Në një komunikatë kjo zyrë ka thënë Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinoviq kontroll të disa bizneseve në disa rajone.
“Krimi i organizuar ndërkombëtar dhe korrupsioni shpesh shkojnë paralelisht me efektet masivisht destabilizuese mbi sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike”, tha drejtori i Zyrës së Kontrollit të Pasurive të Huaja Andrea M. Gacki.
Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë Rosiq, Andrija Zhelko Bojiq, Srgjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Milan Radisavljeviq, Radovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq, Radule Steviq.
“Zvonko Veselinoviq, udhëheqësi i Grupit të Krimit të Organizuar Zvonko Veselinoviq (OCG), është një nga figurat më famëkeqe të korruptuara të Kosovës. OCG e Veselinoviqit është e angazhuar në një skemë ryshfeti në shkallë të gjerë me zyrtarë të sigurisë kosovare dhe serbe, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të grupit të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Grupi gjithashtu ka komplotuar me politikanë të ndryshëm në disa marrëveshje ‘quid pro quo’, duke përfshirë ryshfetin në fillim të vitit 2019 të zyrtarëve kosovarë të sigurisë për të lejuar operacionet e tyre të kontrabandës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe ryshfetin e fundit të vitit 2017 ndaj zyrtarëve kosovarë të sigurisë kufitare për të lejuar kalimin e sigurt për kontrabandistët. Nga fundi i vitit 2017, Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kishin marrëveshje me politikanët për të ndihmuar partinë e tyre të fitojë zgjedhjet, të sigurojë fitore politike për kandidatët e tyre dhe të kontribuojë me shuma të mëdha parash për kandidatët. Në këmbim, këta politikanë do t’u jepnin vëllezërve kontrollin e zonave të caktuara për bizneset e tyre dhe ku ata mund të kryenin aktivitetet e tyre të paligjshme të biznesit pa ndërhyrjen e autoriteteve serbe, dhe gjithashtu do të ofronin informacion të pronarit të biznesit për të mbështetur investimet e biznesit të vëllezërve. Politikanët gjithashtu do t’i shpërblenin vëllezërit Veselinoviq duke punuar për t’u dhënë vëllezërve kontratat më të mira të infrastrukturës. Nga fundi i vitit 2017, Veselinoviq dhe Zharko bënë donacione si metodë për pastrimin e parave që buronin nga sipërmarrja e tyre kriminale. Zharko ka qenë lider në OCG, duke punuar me vëllain e tij dhe OCG-në në aktivitetet e tyre të kontrabandës, frikësimin e dhunshëm të bizneseve, projektet e tyre të ndërtimit dhe infrastrukturës dhe projektet e tyre të zhvillimit të telekomunikacionit. Përveç kësaj, Veselinoviq dhe grupi i tij u paditën për përfshirje të dyshuar në vrasjen e liderit të partisë politike Oliver Ivanoviq në janar 2018. Veselinoviq dhe anëtarët e tjerë të OCG, Milan Rajko Radojcic, Zeljko Bojic dhe Marko Rosic, u përmendën në aktakuzën për vrasjen, secili duke shërbyer rolin e tij në atentatin për ndërmarrjen kriminale”, thuhet në këtë komunikatë.
Këtij vendimi i ka reaguar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo ka shkruar se i mirëpret sanksionet ndaj Veselinoviqit dhe grupit të tij të krimit të organizuar në veri të Kosovës.
“Institucionet e Kosovës janë plotësisht të përkushtuara në sundim të ligjit dhe do të bashkëpunojnë me SHBA-në për të siguruar që rajoni ynë të mos bëhet një strehë për grupe të tilla kriminale”, shkroi ajo.