SHBA paralajmëron Serbinë për “Nënën Rusi”

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtojnë presionin ndaj Serbisë për t’i vendosur sanksione Rusisë. Ambasadori i Uashingtonit në Beograd, Christofer Hill, tha se e kupton pozicionin e këtij shteti, por e këshilloi atë që për interesat kombëtare të shohë nga Perëndimi.

“Po i paralajmëroj serbët se kjo nuk është “nëna Rusi” e tyre, por kemi të bëjmë me një Rusi krejtësisht ndryshe”, u shpreh diplomati amerikan për Radio Televizionin Serb.

Hill kërkoi nga Beogradi që të bëjë një deklaratë dhe të mbajë një anë, pasi kjo Rusi po sulmon brutalisht fqinjët e saj. “Nëse shikoni Europën, shumë pak vende, më duket se vetëm Bjellorusia dhe Serbia nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, pyetja është nëse Serbia dëshiron të mbetet në atë shoqëri”, u shpreh ambasadori amerikan duke shtuar se ka ardhur koha që Beogradi të zgjedhë mes të mirës dhe të keqes. Hill nënvizoi ndër të tjera se ajo që po ndodh mes Rusisë dhe Ukrainës nuk ka asnjë ngjashmëri me rastin e Kosovës dhe Serbisë, ndërsa këshilloi palët që të gjenin një zgjidhje.