Groenlanda shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 836 mijë miljesh katrore, më shumë se pesë herë madhësia e Kalifornisë, dhe është pothuajse tërësisht e mbuluar me akull.
Prej kohësh, presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se mund ta marrë nën kontroll ishullin, duke akuzuar Danimarkën se ka neglizhuar këtë territor arktik. Të mërkurën, shefi i Ushtrisë Daneze, gjenerali Peter Boysen, shpjegoi se si Kopenhaga synon të forcojë mbrojtjen e Groenlandës.
Boysen përmendi fillimisht kapacitetet ajrore dhe mbrojtjen kibernetike – satelitë, dronë dhe teknologji të tjera që shërbejnë për mbledhjen e të dhënave dhe krijimin e asaj që ai e quajti “ndërgjegjësim për territorin”.
Me fjalë më të thjeshta, kjo do të thotë të kuptohet saktësisht se kush po bën çfarë në një territor kryesisht të pabanuar, që shërben si urë mes Evropës dhe Amerikës së Veriut.
Por më pas, shefi i ushtrisë ndaloi. “Për të ruajtur sovranitetin, nevojiten trupa në terren”, tha ai, duke u përkulur përpara mbi tavolinën e vogël në Kastellet, fortesën e shekullit XVII në Kopenhagë ku ndodhen ende zyra ushtarake.
“Duhet të kemi njësi që janë të afta të dislokohen në Groenlandë në kohë krize për të treguar prani”.
Dhe kriza tashmë ka ardhur. Ministrat e Jashtëm të Danimarkës dhe Groenlandës u takuan në Shtëpinë e Bardhë me zëvendës presidentin amerikan J.D. Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio.
Pas takimit, ministri danez i Jashtëm Lars Løkke Rasmussen e cilësoi dialogun si konstruktiv, por pranoi se “nuk arritëm ta ndryshojmë qëndrimin amerikan. Është e qartë që presidenti ka dëshirën për të pushtuar Groenlandën”.
Vetë Trump e konfirmoi këtë, duke deklaruar sërish se “na duhet Groenlanda për sigurinë kombëtare”.
Disa orë më herët, Ministria Daneze e Mbrojtjes kishte njoftuar rritjen e pranisë ushtarake në Groenlandë, përfshirë avionë, anije dhe trupa tokësore.
Një zëdhënës i Komandës së Mbrojtjes Daneze e përshkroi këtë si pjesë të “detyrave rutinë” dhe përgatitje për aktivitetet e ardhshme, duke e lidhur me premtimet e bëra që vjeshtën e kaluar për rritjen e investimeve në sigurinë arktike.
Ndërkohë, kryeministri i Suedisë deklaroi se edhe trupa suedeze po mbërrinin në Groenlandë, ndërsa personel gjerman pritej të mbërrinte ditën pasuese.
Ligjvënës danezë dyshojnë se koha e këtij dislokimi nuk është rastësi. Ata thonë se qeveria në Kopenhagë nuk dëshiron të përshkallëzojë tensionet me SHBA-të, por gjithashtu nuk mund të qëndrojë pasive.
“Nëse duam një parandalim të besueshëm, duhet të dërgojmë diçka”, tha një anëtar i komisionit parlamentar të mbrojtjes, duke folur në kushte anonimiteti.
Një zyrtar amerikan në Kopenhagë shtoi se dislokimi përputhet me angazhimet e Danimarkës për forcimin e mbrojtjes në Arktik, por ka shumë gjasa të jetë përshpejtuar për shkak të tensioneve me Washington-in.
Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, deklaroi se prania e shtuar ushtarake përbën një “përgjigje të qartë ndaj sfidave në Arktik”, duke theksuar se bëhet fjalë për një përpjekje të përbashkët të NATO-s dhe jo një kërcënim për SHBA-të.
Boysen ndau të njëjtin qëndrim, duke theksuar se Danimarka nuk ka identifikuar ndonjë kërcënim të menjëhershëm nga Rusia, Kina apo ndonjë aktor tjetër.
Megjithatë, Trump vazhdon të këmbëngulë se SHBA-të duhet ta zotërojnë Groenlandën, duke e quajtur çdo alternativë “të papranueshme”.
Ndërsa Danimarka thekson bashkëpunimin brenda NATO-s, shqetësimi mbetet se çdo ndërhyrje ushtarake amerikane do të kishte pasoja të rënda, përfshirë aktivizimin e Nenit 5 të Aleancës dhe detyrimin ligjor të forcave daneze për të mbrojtur territorin e tyre.
“Është një detyrim”, tha Boysen për rezistencën ndaj çdo pushtimi. I pyetur nëse kjo do të vlente edhe kundër forcave amerikane, ai u tregua i rezervuar: “Kjo është shumë politike. Unë jam thjesht një ushtar.”
Nuk ka pasur kuorum për raundin e parë të votimit të Presidentit. 66 deputetë ishin…
Nuk ka pasur kuorum për propozimet e amendamenteve kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani…
Televizioni shtetëror iranian raportoi mbrëmjen e së enjtes se dronët e Gardës Revolucionare ushtria ideologjike…
Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë ftuar në seancën lidhur me amendamentet për zgjedhjen e…
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se dëshiron të përfshihet në zgjedhjen…
Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se të enjten i ka dërguar në Kuvend amendamentet kushtetuese…