Shfuqizohet vendimi, Prizreni hiqet nga karantina
Është shfuqizuar vendimi për karantinimin e Prizrenit, kësisoj, sonte ky qytet doli nga karantina.
Lajmin e ka konfirmuar kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka.
“Sapo u njoftova nga Ministria e Shëndetësisë e cila ka shfuqizuar vendimin për karantinim të qytetit të Prizrenit. Në bisedë telefonike me ministrin Vitia, gjithashtu u njoftova se në Prizren janë duke u bërë një numër i madh i testeve, kryesisht të kontakteve të stafit mjekësor të Spitalit Regjional dhe të pacientëve e familjarëve të tyre”, ka shkruar Haskuka në Facebook.
Sipas Haskukës, kjo do të thotë se numri i rasteve në ditët në vijim mund të rritet akoma më shumë, prandaj për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë do të ndërmerr masa të tjera me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejmë virusit COVID-19.
“Qëndroni në shtëpi. Mbroni veten dhe familjen tuaj!”, njofton Haskuka.
Dje, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur jokushtetues vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë, më konkretisht të ministrit në detyrë Arben Vitia, që shpalli Prizrenin “zonë karantinë”.