Përkrah kërkesave që mund të jenë në rritje, Prishtina por edhe qytetet tjera po ndërtohen me ritëm të shpejtë, duke e bërë këtë sektor njërin ndër sektorët më të fuqishëm në vend.
Ndërsa ekziston perceptimi se është sektori ku qarkullon më së shumti paraja informale. Këtë e theksojnë edhe raportet vendore e ndërkombëtare.
Por a është ky sektor i fuqishëm edhe përballë ligjit ?
Ndërtimi shpesh herë shihet si investim i atyre që paratë i kanë fituar në mënyrë të kundërligjshme e që këtë sektor e shfrytëzojnë për të shpërlarë paratë.
Por sipas Faton Hoxhës nga Shoqata e Ndërtimtarëve, kjo nuk është e vërtetë dhe se kompanitë e ndërtimit, kanë gjetur mënyrën se si i financojnë ndërtimet.
“Gjithmonë shitja fillon tek na qysh në themele. Domethënë nuk pritet me u bo komplet me u finalizu ndërtimi e pastaj me u bo inspektimi final ose pranimi teknik, siç e njohim, e pastaj me fillu shitja që është rregull në vendet tjera. Këtu shitet faktikisht me mirëbesim dhe një farë forme të gjithë ata blerës të banesave janë një lloj investitori në atë kompleks banesor”, ka thënë ai.
Kjo është një nga metodat që shumë kompani të ndërtimit e praktikojnë. Por, kjo mënyrë e financimit të ndërtimit, në raste të caktuara del të jetë mashtrim i madh për qytetarët.
Një rast i tillë i mashtrimit të 176 qytetarëve, si blerës të banesave është ende në trajtim në procedurë gjyqësore.
Bëhet fjalë për periudhën e vitit 2009-2014, ku Estrida Bunjaku, Burim Vokrri, Vigan Bunjaku, Xhemajl Arifi dhe Valon Orllani, akuzohen se kanë përfituar mbi 2 milionë euro, duke i mashtruar qytetarët me shitjen e banesave.
Qytetarët ishin mashtruar duke blerë banesa nga të akuzuarit, të cilët kishin transferuar mjetet përmes bankës, ndërsa kishin marrë parakontrata se banesat do të kryheshin për 12 deri 18 muaj. Këto mjete, ishin tërhequr nga të akuzuarit brenda ditës.
Qytetarët e mashtruar në këtë rast, të cilët janë intervistuar, hezitojnë të flasin hapur para kamerave. Mashtrimi nga ndërtuesit, sipas tyre, ishte bërë i besueshëm, me faktin se blerës të banesave, kishin qenë policë, ushtarë, gjykatës e politikanë.
“43 mijë euro, thash ta kryej….Në fillim 10 mijë euro na i ka lyp, dikur ja nisi edhe 5 mijë e 7 mijë”, ka thënë qytetarja S.H.
Qytetarja tregon që për të blerë këtë banesë, ajo kishte shitur pothuajse gjithçka.
“Po na një shpi të bashkallakut e këna pas në Germi, e këna shit edhe i këna nda paret me kunat, qysh këna mujt, sa na kane ra, edhe do i kam pas të tubume se djalin e kam në Gjermani, edhe çka kam mujt unë kam bo, çka kam pas dukat, çka kam pas unë krejt i kam shite, se me vyke, hajt të boj diçka, hajt të boj diçka se apët thojsha i blejë unë ato senet”, është shprehur ajo.
Qytetari tjetër që ishte mashtruar nga ky grup i ndërtuesve, thotë se kishte nënshkruar kontratën për blerjen e banesës, ku kishte dhënë 10 mijë euro.
“Unë për banese jam kanë i intersuam kur u fol në Polici, mu shoqja me ka punu në Polici, thotë kështu, kështu do banesa, kam pas nevoje për çiken me marrë, edhe jam shku unë me shoqen, e ka bo kontratën 10 mijë euro i kemi dhanë”, ka thënë qytetari A.M.
Ndërtimi i banesave e premtuara me standarde evropiane, qytetarët thonë se ishte ndërprerë më arsyetimin se në pronën ku po ndërtohej kishin hasur në probleme, dhe se ndërtimi do bëhej në një vend tjetër. Por, as kjo nuk kishte ndodhur.
Aktakuza për këtë rast ishte ngritur në maj të vitit 2016, ndërsa në shkallë të parë, Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar pesë të akuzuarit me 30 vite burgim dhe 450 mijë euro gjobë për mashtrimin e 176 blerësve të banesave. Rasti gjendet në procedurë në Gjykatën e Apelit.
Por ky dënim për qytetarët nuk është i mjaftueshëm, pasi ata kërkojnë të dëmshpërblehen.
“Na po i dojna paret tona, na po e dojna mundin tonë, njersen tonë, na po i dojna banesat e tona”, shprehet qytetarja.
Ky është ndër rastet e rralla që Prokuroria ka ngritur aktakuzë për këtë lloj mashtrimi. “Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, të informohet se sa raste janë duke ndjekur dhe sa aktakuza kanë ngritur për veprën penale të shpëlarjes së parasë që lidhen me ndërtues, por nuk ka marrë përgjigje.