Nga Ted Galen Carpenter “National Interest”
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj të NATO-s po armatosin me zell Ukrainën, dhe po angazhohen në veprime të tjera që po i inkurajojnë udhëheqësit në Kiev të besojnë se
kanë një mbështetje të fortë perëndimore në konfrontimin e tyre me Rusinë dhe separatistët e mbështetur nga Rusia.
Konflikti midis qeverisë ukrainase dhe forcave separatiste në rajonin e Donbasit, që ka mbetur në nivele të ulëta vitet e fundit falë marrëveshjeve të brishta të Minskut, tregon disa shenja të pagabueshme të nxehjes së situatës. Dhe ky zhvillim po përkeqëson tensionet tashmë të rrezikshme midis Kievit dhe Moskës.
Tashmë ka spekulime në rritje se Rusia mund të nisë edhe një pushtim ndaj gjithë
Ukrainës. Udhëheqësit perëndimorë po ndjekin një strategji të pamatur, e cila po gjeneron paralajmërime gjithnjë e më të mprehta nga zyrtarët e Kremlinit. Në dy raste që nga fillimi i muajit prill, Rusia ka kryer disa dislokime ushtarake pranë kufirit të saj me Ukrainën, gjë
që ka ngjallur shumë shqetësim.
Pak para episodit të mëparshëm, administrata Biden kishte njoftuar një shitje të re armësh ndaj Ukrainës në vlerën125 milionë dollarë. Edhe pse ky transaksion u pezullua përkohësisht në qershor, 60 milionë dollarë nga kjo paketë armatimesh u dorëzuan gjatë vizitës së sekretarit amerikan të mbrojtjes Lloyd Austin në Kiev në fund të muajit tetor.
Shtetet e Bashkuara nuk janë i vetmi anëtar i NATO-s që ka krye shitje armësh ndaj Ukrainës. Edhe Turqia po pajis ushtrinë ukrainase me dronë luftarakë, dhe në fund të tetorit, forcat e Kievit nisën një sulm me dronë që shkatërruan bateritë e artilerisë rebele në
Donbas.
Moska bëri deklarata të ashpra si ndaj Kievit ashtu edhe Ankarasë për përshkallëzimin e përplasjeve në Ukrainën Lindore. Ky zhvillim pasoi një dislokim të ri të forcave ruse pranë kufirit ukrainas, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, shprehu shqetësimin
se Rusia mund të përsërisë ofensivën e saj ushtarake të vitit 2014, kur qeveria e Vladimir Putin pushtoi Krimenë, dhe më pas ofroi mbështetje ushtarake për separatistët në lindje të Ukrainës.
Por shitjet e armëve janë vetëm një nga elementët e mbështetjes në rritje për Kievin nga ana
e Shteteve të Bashkuara dhe disa prej aleatëve të saj të NATO-s. Presidenti Joe Biden ka shprehur vazhdimisht angazhimin e Uashingtonit ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës kundër “agresionit rus”.
Trupat amerikane dhe ato ukrainase, kanë kryer në disa raste stërvitje të përbashkëta ushtarake (lojëra lufte), dhe forcat e Ukrainës janë përfshirë në stërvitjet ushtarake të NATO-s. Ukraina organizoi stërvitjen më të fundit të këtij lloji në shtator 2021.
Në kundërpërgjigje të presionit të Uashingtonit, Ukraina po trajtohet në të gjitha aspektet si një anëtare e NATO-, përveç anëtarësimit formal që nuk ka ndodhur ende. Veprime të tilla janë destabilizuese dhe të panevojshme.
Udhëheqësit e Ukrainës, përfshirë presidentin Volodymyr Zelenskyy, po bëjnë tashmë deklarata të forta për rimarrjen së shpejti të Krimesë dhe mposhtjen e separatistëve në Donbas. Dokumenti zyrtar i strategjisë së mbrojtjes së vendit, i miratuar në mars të këtij viti,
i përfshin hapur këto synime.
Logjikisht, mburrje të tilla janë pa përmbajtje, pasi forcat ushtarake të Ukrainës nuk përputhen me ato të Rusisë as në sasi, dhe aq më pak në cilësi. Megjithatë, besimi tek mbështetja ushtarake e SHBA-së ose NATO-s, mund t’i inkurajojë udhëheqësit ukrainas
Që të braktisin qasjet e matura dhe të angazhohen në një konfrontim të ashpër me Moskën. Më herët, Shtetet e Bashkuara e nxisnin një aleat të supozonte se kishte mbështetjen e Uashingtonit, dhe rezultati ishte një luftë e panevojshme në të cilën Gjeorgjia doli e dërrmuar dhe e poshtëruar.
Administrata e Xhorxh W.Bush e inkurajoi presidentin gjeorgjian, Mikheil Saakashvili, të besonte se vendi i tij ishte një aleat i rëndësishëm i SHBA-së, dhe se Shtetet e Bashkuara dhe NATO do ta ndihmonin Tbilisin nëse do të përfshihej në një konflikt me Rusinë.
Uashingtoni siguroi miliona dollarë armatime për Tbilisin, madje trajnoi edhe trupat gjeorgjiane. Po ashtu,Bush i nxiti aleatët e SHBA-së në NATO që t’i garantoni Gjeorgjisë (dhe Ukrainës) anëtarësimin në aleancë, ndonëse pa sukses.
Në gushtin e vitit 2008, Saakashvili nisi një ofensivë ushtarake për të rimarrë kontrollin e Osetisë së Jugut (një nga dy rajonet secesioniste). Ofensiva gjeorgjiane shkaktoi viktima në radhët e trupave paqeruajtëse ruse që ishin vendosur atje që nga fillimi i viteve 1990, ndërsa Moska u kundërpërgjigj me një kundërofensivë të plotë, që çoi shumë shpejt në pushtimin e disa qyteteve gjeorgjiane, dhe që i solli trupat ruse deri në periferinë e kryeqytetit. Pavarësisht retorikës së mëparshme mbështetëse të Uashingtonit, Saakashvili zbuloi se Shtetet e Bashkuara nuk ishin të gatshme që të hynin në një luftë më Rusinë në emër të Gjeorgjisë, dhe se në ato kushte ai u detyrua të nënshkruante një marrëveshje paqeje sipas kushteve të diktuara nga Rusia.
Paralelet midis atij dështimi dhe politikës aktuale perëndimore, veçanërisht të SHBA-së
në lidhje me Ukrainën, janë alarmante. Shitjet e armëve nga Uashingtoni drejt Kievit, po ndihmojnë në krijimin e një situate të rrezikshme që përfshin Ukrainën.
Presidenti Barack Obama e kuptoi me sa duket potencialin e shitjeve të tilla në provokimin e Rusisë dhe shkaktimin e një konflikt të armatosur. Ndaj ai nuk pranoi që të zbatonte transferimin e armëve në Kiev, pavarësisht ligjit që u miratua në Kongres që e autorizonte atë hap.
Fatkeqësisht, pasardhësit e Obamës nuk ishin aq të mençur apo aq të kujdesshëm. Me gjithë kritikën e përhapur se Donald Trump ishte i butë ndaj Rusisë, administrata e tij i shiti shumë armë Ukrainës. Si në vitin 2017 ashtu edhe në vitin 2019, shitjet përfshinin edhe raketa të sofistikuara anti-stank “Javelin”, pavarësisht protestave të ashpra të Moskës.
Sasi të mëdha armësh kanë vazhduar të shihen edhe gjatë administratës Biden. Uashingtoni dhe partnerët e tij në NATO, duhet të tërhiqen nga politikat e tyre gjithnjë e më të rrezikshme. Kremlini e ka bërë të qartë disa herë, se e konsideron Ukrainën si një shqetësim thelbësor të sigurisë ruse, dhe se përpjekjet për ta bërë atë vend një aleat ushtarak perëndimor, rrezikojnë të kalojnë “vijën e kuqe”.
Zbatimi i masave që inkurajojnë një klient të paqëndrueshëm të përfshihet në provokime, që ai nuk mund t’i përballojë në rast se reagon kundërshtari i tij më i fortë, duke e përshkallëzuar konfrontimin, përbën një keqpërdorim të jashtëzakonshëm të politikës së jashtme të SHBA-së.
Armatosja e Ukrainës me armatime të sofistikuar, është një shembull tipik i një marrëzie të tillë. Shtetet e Bashkuara, Turqia dhe fuqizuesit e tjerë me armë të Kievit, duhet të ndryshojnë kurs, përpara se ta kthejnë konfliktin aktualisht “të fjetur”të Ukrainës në një konflikt në shkallë të gjerë.
Shënim:Ted Galen Carpenter, bashkëpunëtor mbi studimet e mbrojtjes dhe politikës së jashtme në Institutin Kato.