Një tjetër bazë e grupeve kriminale u zbulua të mërkurën në Shkodër.
Policia e kryeqendrës së Veriut bëri të ditur, se në pranga ra një i ri ndërsa janë sekuestruar maska, armë e kanabis sativa.
Sipas njoftimit të bluve të Shkodrës, në lagjen “Partizani”, shërbimet e Policisë, ndërhynë në banesën e 26-vjeçarit Rakip Gila, ku kanë gjetur dhe sekuestruar 7 jelekë antiplumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, 1 kokore metalike, 1 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.
Gjithashtu, janë sekuestruar 1 kavanoz dhe 13 pako të mbushura me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, si dhe një sasi tjetër e kësaj lënde, e ndarë në doza, gati për shitje në afërsi të shkollave, lokaleve dhe në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës.
Policia e Shkodrës shtoi, se sendet dyshohet se do të përdoreshin nga grupe kriminale, për të kryer krime kundër personit dhe pronës.
Brenda 24 orëve të fundit, kjo është baza e dytë e grupeve kriminale të zbuluara nga policia, pas asaj në Kurbin.