Shefqet Kabashi është dëshmitari i radhës në rastin e ish-krerëve të UÇK-së pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Kabashi ishte dëshmitari kryesor në procesin gjyqësor të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për të cilin s’kishte pranuar të dëshmonte. Për këtë, ai ishte dënuar me dy muaj heqje lirie. Ai dëshmonte edhe në rastin e ish-ministrit Fatmir Limaj.
Kabashi ka filluar dëshminë në rastin Thaçi dhe të tjerët duke kritikuar prokurorët. Ai ka thënë se s’mund të bashkëpunojë me ZPS-në, meqë sipas tij, prokurorët po dëmtojnë shumë dëshmitarë.
“Ju e dini se unë vetë nuk kam vendosur, nuk ka qenë gatishmëri dhe vendimi për të ardhur këtu. Megjithatë, jeni përpjekur që t’i gjeni të gjitha mënyrat e mundshme, në mënyrë të tillë të më sjellni këtu dhe për këtë arsye nuk mund të bashkëpunoj me ju, sinqerisht me prokurorët sepse ju dëmtoni shumë njerëz, keni dëmtuar kaq shumë njerëz, përfshirë dëshmitarët dhe gjithë vendin tim”, tha Kabashi.
Dëshmitari tha se deklaratat e tij të dhëna në gjykimet e mëhershme, janë keqkuptuar. Kësisoj, ai tha se për t’i evituar keqkuptimet, do të përgjigjet në gjuhën angleze.
Dëshmia e tij pritet të zgjasë përreth një orë e gjysmë.
Deri më tani, ai është pyetur për deklaratat e tij të mëhershme në rastin Limaj dhe ato që ka dhënë në media.
Kush është Shefqet Kabashi?
Kabashi është ish-ushtar i UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit. Ai është edhe ish i burgosur në burgun e Dubravës.
Shefqet Kabashi ishte dëshmitari kryesor në procesin gjyqësor kundër kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili nga Gjykata e Hagës ishte dënuar me dy muaj heqje lirie për “refuzim të qëllimshëm për t’iu përgjigjur pyetjeve të prokurorëve”.
Kabashi shquhet për deklarata kundër Prokurorisë. Kabashi, thoshte se hetuesi indian që ende beson në lopë e nuk beson në Zot i ka përzi këto gjëra, që ka kushtu edhe me jetë të njerëzve.
“Kujt me ju përgjigj, për çka me u përgjigj, ku është qëllimi për me u përgjigj. Mos ma sjell me rrotulla se unë unë jam fort i mençur, kom qëllu katunar dhe nuk di me i rrotullu senet unë. Habitna thomë naj sen çka s’duhet apo, përgjegjna gabim a naj sen”, deklaronte atëbotë Kabashi ndaj Prokurorit.
Kabashi, shpeshherë ishte treguar mjaft i ashpër, duke mos i lejuar të bëjnë pyetje Prokurorët.
“Unë qysh kam kalu deri sot, nuk e di qysh jam ka muj me nejt ulur këtu. Nuk e di qysh jam ka muj me duru. Ti po më vet mu se çka ka ndodhë në Jabllanicë? Sa vetja janë vrarë aty nuk e di, por kokan vra 5, 6, 10 sa? Por pse nuk po më vet mua, për 200 veta që janë vrarë në burgun e Dubravës brenda 3-4 dite, që janë masakru? Kush është ai që ka dhënë dëshmi para Tribunalit të Hagës për 200 vetë në Burgun e Dubravës? Kush është ai që ka dhënë dëshmi për 10 veta që janë vrarë ën bodrum, ku unë isha prezent, edhe janë pre me thikë pasi janë vrarë? Këtu s’ka dëshmi. Mos më qit këtu me dëshmu se nuk kam çka me dëshmu. Me çka jeni ka merreni ju janë pallavra. Çdo njeri që ka bashkëpunu me juve në Kosovë e Bosnje e ka humbur besimin në ju, dy shtetet që janë dëmtuar më së shumti prej krimeve të luftës. Unë nuk po i mbrojë ata se çka kanë ba. Ai që e ka ba le ta man vet”, thoshte Kabashi në Gjykatën e Hagës.