Një çift bashkëshortësh, biznesmenë janë plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në vilën e tyre në Allias pas tentativës së grabitjes nga dy persona të armatosur.
Të plagosurit janë Petrit Laze 61-vjeç dhe Aferdita Laze 59-vjeçe. Report Tv mëson se burri, Petrit Laze ndodhet në gjendje të rëndë në spital dhe është ende në sallë ku po i nënshtrohet një ndërhyrje, pasi ka marrë një plumb në bark. Gruaja ka marrë një plumb në kofshë, por paraqitet në gjendje më të stabilizuar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:40 në rrugën “Njazi Meka” në vilën e çiftit. Sipas policisë dy persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e tyre për ti grabitur, por në momentin që janë konstatuar nga Petrit dhe Afërdita Laze, njëri prej personave ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të çiftit duke i plagosur.
Ulërimat dhe thirrjet për ndihmë të çiftit janë dëgjuar nga fqinjët që kanë shkuar me shpejtësi dhe kanë lajmëruar policinë. Gazetarja e Report Tv Xhensila Kodra raporton se nga të dhënat e para, bazuar te grupi hetimor, autorët nuk kanë arritur që të marrin gjë, megjithatë vijojnë verifikimet. Petrit dhe Aferdita Laze janë me origjinë nga Skrapari, ndërsa në aktivitetin e biznesit e ushtrojnë në Tiranë, pasi kanë disa dyqane të prodhimeve të brumit (bukë, etj). Policia ka ngritur pika kontrolli dhe vijon krehjen e zonës me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.