Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, po përballet me një nga kërcënimet më serioze për Qeverinë e tij pasi Gjykata Supreme urdhëroi që t’i jepet fund ndihmave qeveritare për shumë burra ultra-ortodoksë që nuk shërbejnë në ushtri.
Vendimi i gjykatës erdhi pas një sërë vonesash nga Qeveria izraelite për të paraqitur në gjykatë një propozim për shtimin e burrave ultra-ortodoksë në regjistrin ushtarak. Historikisht kanë qenë të përjashtuar nga rekrutimi.
Gjykata e ka shpallur më parë sistemin aktual si diskriminues dhe i ka dhënë Qeverisë afat deri të hënën që ta paraqesë një plan të ri, dhe deri më 30 qershor që ta miratojë. Benjamin Netanyahu, qeveria e të cilit përfshin parti që mbështesin dhe kundërshtojnë rekrutimin e ultra-ortodoksëve, i kërkoi gjykatës ta zgjasë afatin për të arritur kompromis, raportoi The Guardian.
Izraeli e ka shërbimin ushtarak të detyrueshëm, por për dekada ka bërë përjashtim për hebrenjtë ultra-ortodoksë, të njohur si Haredi, të cilët lejohen të vazhdojnë studimin e Teuratit dhe të jetojnë me paga nga Qeveria.
Por, teksa forcat e armatosura të Izraelit kanë hyrë në muajin e gjashtë të luftës në Gaza, prej së cilës 500 ushtarë janë vrarë, deputetët e pushtetit dhe opozita janë shprehur pro shtrirjes së detyrimit ushtarak në komunitetin Haredi.
Benny Gantz, rival politik i Netanyahut, ka thënë se e kupton “nevojën për ushtarë gjatë luftës, dhe nevojën që secili në shoqëri të marrë pjesë në të drejtën për t’i shërbyer vendit”.
Kjo lëvizje mund të ketë pasoja të thella politike dhe sociale. Netanyahu po përpiqet të kapërcejë ndarjen e madhe politike mbi këtë çështje.
Ata që e mbështesin zgjerimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak te komuniteti Haredi përfshijnë ministrin e Mbrojtjes dhe anëtarë të tjerë të kabinetit që menaxhojnë luftën, të cilët parashikojnë muaj të tjerë luftimesh.
Dy partitë ultra-ortodokse në koalicionin qeverisës ndërkohë e kanë kritikuar vendimin e gjykatës.
Nëse partitë ultra-ortodokse largohen nga koalicioni, vendi do të detyrohej të shkonte në zgjedhje të reja, dhe Netanyahu në sondazhe ka dalë prapa.
Plani për shërbimin ushtarak është kundërshtuar edhe nga burrat Haredi. Disa prej tyre kanë thënë se më përpara do të shkonin në burg, se të regjistroheshin në ushtri.
Kjo praktikë ekziston qysh në fillimet e krijimit të shtetit izraelit, kur 400 studentë ishin lejuar të shmangnin shërbimin ushtarak. Ndërsa popullsia është rritur, mijëra prej tyre tani shmangin thirrjen për ushtri dhe jetojnë me bursa të Qeverisë për studimet fetare.