Gazetari Vullnet Krasniqi është sulmuar sot gjatë ditës, derisa po raportonte nga protesta kundër DokuFestit në Prizren.
Në pamjet nga momenti i sulmi që ka publikuar Nacionale, shihet se Krasniqi është sulmuar në sy të policëve, por që asnjë prej tyre nuk reagojnë. Ata nuk reagojnë as pas thirrjes së Krasniqit për ndihmë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Për këtë rast, IPK thotë se kanë filluar me procedurat dhe se kanë kërkuar raporte zyrtare nga stacioni policor në Prizren.
“Duke ju referuar kërkesës suaj rreth angazhimeve të Policisë së Kosovës për menaxhimin e protestës në Prizren, IPK ju konfirmon se sipas detyrës zyrtare ka filluar grumbullimin e informacioneve dhe videoinicizimeve lidhur me këtë rast. Përveç këtyre veprimeve , IPK ka kërkuar raporte zyrtare nga stacioni policor në Prizren lidhur me angazhimet policore gjatë menaxhimit të protestës. Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat dhe në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së”, thuhet në përgjigje.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka treguar për se personi që sulmoi gazetarët është arrestuar, dhe po intervistohet.
“Lidhur me sulmin në fjalë, një person është identifikuar dhe është duke u intervistuar në polici”, ka thënë Bytyqi.
Ndërkohë sulmi u dënua edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët e quajtën të papranueshëm, dhe rrezik ndaj sigurisë së gazetarëve.
“AGK-ja e dënon sulmin fizik ndaj ekipit të Nacionales në Prizren. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, është i tronditur me sulmin ndaj ekipit të portalit Nacionale, gazetarit Vullnet Krasniqi dhe kameramanit, Arbër Latifi në Prizren. Krasniqi dhe Latifi ishin atje për të raportuar për protestën e thirur nga imamët lokalë kundër festivalit “Dokufest”. Sipas raportimeve të medies, ata janë sulmuar dhe shtyrë fizikisht nga një pjesë e turmës protestuese derisa po kryenin punën e tyre. Ky është një sulm i papranueshëm dhe kërcënim serioz për sigurinë e gazetarëve. AGK-ja, kërkon nga Policia arrestimin e menjëhershëm të sulmuesve dhe përballjen e tyre të menjëhershme me drejtësinë”, është thënë në reagimin e AGK-së.