Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Skënder Gjinushi takoi pjesëtarët e ekspeditës arkeologjike shqiptaro-zvicerane që po zhvillon kërkime prej disa vitesh në vendbanimin neolitik të Linit (afër Pogradecit). Drejtuesit e ekspeditës e informuan Gjinushin për të dhënat për përpunimin e materialit arkeologjik për të siguruar e ruajtur gjithë informacionin shkencor nëpërmjet një dokumentacioni të standardizuar.
Projekti i kërkimeve nënujore “Lin 3” është bashkëpunim midis Institutit Arkeologjik të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetit të Bernës (Zvicër). Profesorët Albert Hafner dhe Ilir Gjipali rikonfirmuan se vendbanimi i Linit është vendbanim palafit (liqenor) dhe shtrihet kryesisht nën ujë dhe pjesërisht edhe në tokë, si rezultat i mbushjeve që kanë ndodhur gjatë mijëra vjetëve nga depozitimet e dherave të gërryera nga kodrat përreth.
Rezultatet e kërkimet të viteve të mëparshme (2021, 2022 dhe 2023) dhe analizat laboratorike të kryera në Universitetin e Bernës në Zvicër, si dhe ato në bashkëpunim me Universitetin e Oksford-it në Angli, treguan se vendbanimi palafit (liqenor) “Lin 3” është vendbanimi më i vjetër i këtij lloji në Europë.
Gërmimet e 2024 shënojnë përfundimin e fazës së parë të projektit në “Lin 3”. Gërmimet katërjavore në tokë (24 qershor – 21 korrik 2024) vlerësohen si shumë të suksesshme për sasinë dhe shumëllojshmërinë e materialit arkeologjik (palafite, qeramikë, vegla prej guri, stralli e kocke, mbetje bimore, kocka kafshësh shtëpiake e të egra etj.), të cilat janë objekt studimi në vazhdim nga specialistët e projektit. Faza e dytë e gërmimeve të këtij sezoni lidhet me gërmimet nënujore brenda në liqen, që do të vazhdojnë katër javë të tjera, deri më 18 gusht.
Gërmimet e këtij viti ekspedita shqiptaro- zvicerane po i orienton në njohjen e mëtejshme të shtrirjes së vendbanimit, kohëzgjatjen, kulturën materiale e shpirtërore të banorëve neolitikë, kompleksitetin e ndërtimeve të këtyre vendbanimeve liqenore; si dhe në aspekte të ekonomisë bujqësore e blegtorale dhe të raporteve kulturore e kronologjike me vendbanimet e këtij lloji në trevat përreth (në pellgun e Korçës, në veriun e Greqisë dhe në Maqedoninë e Veriut).
Po përgatitet ndërkaq dokumentacioni arkeologjik i nevojshëm për vënien në mbrojtje dhe shpalljen e tij zonë arkeologjike nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.