“Shqipëria është parajsë”, por afganët duan të shkojnë në Kanada

Një mësues e quan parajsë, një ish-zyrtar i qeverisë nuk ka të ngopur me lirinë që sheh dhe ka gjetur në vendin tonë, por një pjesë e mirë e afganëve të strehuar në Shqipëri synojnë të largohen. Në një reportazh të Asocciated Press realizuar me refugjatët afganë të strehuar në Golem, ata tregojnë dëshirat, dhe synimet për të ardhmen, pa harruar vendlindjen, të cilën e kanë lënë tashmë pas marrjes së pushtetit nga Talebanët.

Por pavarësisht nëse e pëlqejnë apo jo Shqipërinë, të gjithë janë në udhëkryq, duke pritur në Shqipëri që të pajisen me viza amerikane apo kanadeze për të shkuar aty ku mendojnë të ndërtojnë një të ardhme më të mirë.

Resorti në fjalë mban 571 afganë të evakuuar nga vendi i tyre. Mes tyre janë 125 persona  që në Afganistan punonin si gjykatës, sportistë, gazetarë, prezantues televizivë, aktivistë të të drejtave të njeriut e familjarë të diplomatëve apo zyrtarëve të agjencive ligjzbatuese.

Ata thonë se edhe pse ndihen shumë të kënaqur nga mikpritja shqiptare, ata e mbajnë veten të zënë me lojëra dhe aktivitete, derisa të vijë dita që të nisen për në SHBA. “Kemi gjithë të mirat këtu, gjithçka që lamë pas në shtëpi e kemi gjetur këtu, por unë dua të shkoj në Kanada, aty ku janë edhe vëllai dhe motra ime”, thotë Fareidoon Hakimi, një 36-vjeçar i cili në Afganistan punonte si këshilltar në administratën publike.

Po ashtu edhe Mohammad Javed Khan, i cili ishte nëpunës në parlamentin e Afganistanit. “Do të donim shumë të shkonim në Kanada sepse ai vend ka politikat më të mira për emigrantët dhe një pjesë e familjes sime jeton atje”, thotë ai.