Shqiptarët e Kosovës shpëtojnë turizmin në Shqipëri, më pak emigrantë erdhën për pushime

Shqiptarët e Kosovës dhe shtetasit e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të mbajnë gjallë turizmin në Shqipëri. INSTAT ka raportuar se shtatëmujori i këtij viti ka arritur në shifrat e para pandemisë. Megjithatë ulje është regjistruar për vizitat nga Greqia dhe Italia, ku ka edhe më shumë emigrantë shqiptarë.

Hapja e kufijve në sezonin e verës ka sjellë rigjallërimin e turizmit.

Numri i vizitorëve rezulton të jetë 1.158.962 persona, duke njohur një rritje me 2.4 herë në korrik krahasuar me vitin e shkuar.

Madje në një nivel të përafërt me vitin 2019 kur ende nuk ishin regjistruar të infektuar me Covid 19.

Shqiptarët e Kosovës janë ata që i japin më shumë frymëmarrje bregdetit.

1.381.532 individë kanë hyrë në Shqipëri nga janari deri në korrik, por me një ulje prej 300 mijë vizitorësh krahasuar me periudhën para pandemisë.

Të dytët renditen shtetasit e Maqedonisë së Veriut me mbi 300 mijë vizitorë, duke iu kthyer trendit të mëparshëm.

Nga ana tjetër numri i hyrjeve nga Greqia dhe Italia, ku ka më shumë emigrantë shqiptarë, në 7 muaj ka thuajse përgjysmim të vizitave krahasuar me vitin 2019.

Maqedonia e Veriut, strehë për më shumë se 1000 afganë, Zaev: Kemi zemër më të madhe se vendet e BE-së

Prrenjas/Humb kontrollin e mjetit, ndërron jetë drejtuesi, dëmtohet një pasagjere
Nga fqinji jugor kanë hyrë rreth 85 mijë persona e nga përtej Adriatikut kanë ardhur 144 mijë.

INSTAT veçon dhe interesin e pushuesve nga Polonia që kanë një rritje me 4.9 herë, por dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Interesant është fakti se ka një rritje me mbi 3 herë të vizitave për qëllime fetare.

Nga 171 persona që kanë hyrë në vitin 2020, në këtë shtatëmujor e kanë kaluar kufirin 473 persona por sërish më pak se periudha para Covidit.

Në lëvizjet në kufi, mbi 2.6 milonë persona kanë deklsruar se kanë ardhur për pushime, vizitë te të afërmit dhe qëllime shëndetësore.

Edhe numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë shtatëmujorit të 2021, është 2.179.019.

Ky tregues është rritur me 34,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.