Shqiptarët e Luginës së Preshevës protestojnë në Medvegjë mes shqetësimeve për fshirjen e adresave

Me moton “ma kthe adresën” grupe qytetarësh protestuan të dielën në qytetin e Medvegjës, komunë e banuar edhe me shqiptarë në jug të Serbisë, mes shqetësimeve për fshirjen e adresave të banorëve shqiptarë.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Bujanoc, Nevzat Lutfiu tha se Medvegja është qyteti me numrin më të madh të qytetarëve në Serbi, të cilëve u janë fshirë adresat e banimit.

“Një komunë sipas statistikave të fundit zyrtare janë 6 mijë e 360 banorë, janë pasivizuar mbi 4 mijë e 214 qytetarë. A e di bashkësia ndërkombëtare se shumica e këtyre personave kanë qenë shqiptarë të Medvegjës?. Viti 2024, shteti Serbi, komuna e Medvegjës, vetëm brenda një periudhe 4 vjeçare këtu janë fshirë nga listat e votuesve afër 4 mijë persona. A e di bashkësia ndërkombëtare se shumica e këtyre personave të fshirë, pa dijeninë e tyre nga listat e votuesve, ishin shqiptarë të Medvegjës?”, tha ai.

Zoti Lutfiu tha se ky diskriminim sistematik nuk po mjafton për Bashkimin Evropian dhe OSBE-në për të nisur hetime mbi siç tha shkeljet ndaj shqiptarëve në Medvegjë dhe Luginë të Preshevës në përgjithësi.

“Bashkësia ndërkombëtare po promovon me ngulm themelimin e një Asociacioni për komunat me shumicë serbe në Kosovë ndërsa në të njëjtën kohë po i mbyllë sytë sot ndaj fushatës shpopulluese të Beogradit zyrtar në Luginën e Preshevës”, tha ai.

Protesta në Medvegjë
Protesta në Medvegjë

Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi tha se diskriminimi po ndodh për shkak të përkatësisë etnike.

“Mirëpo kjo po ndodh dhe kjo është fotografia e diskriminimit në Ballkanin Perëndimor më së shumti që shihet në Medvegjë. Medvegja është simbol i metodave perfide të pastrimit etnik të një komune nga komunitetet tjera. Mjerisht kjo po ndodh në sytë e BE-së”, tha zoti Kamberi.

Deputeti Shaip Kamberi tha se shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të vazhdojnë angazhimin politik, institucional dhe qytetarë për të kundërshtuar fshirjen e adresave.

Kjo është hera e tretë brenda tre muajve që shqiptarët e Luginës së Preshevës hidhen në protestë me kërkesat si ndalimin e pasivizimit të adresave të tyre, kthimin e gjykatës në komunën e Preshevës, respektimin e marrëveshjeve politike, njohjen e diplomave të të rinjve që përfundojnë studimet në universitetet në Kosovë si dhe angazhim më të madh për integrimin institucional të tyre.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Serbi, rreth 60 mijë shqiptarë jetojnë në Luginën e Preshevës.

Përfaqësuesit politik thonë se situata në rajonin e Luginës së Preshevës vazhdon të jetë e rëndë dhe se nuk është shënuar përparim që nga përfundimi i konfliktit në vitin 2001 ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në atë zonë.