Pas shqiptarëve violina të para në Teatrin Petruzzelli në Bari, në La Scala të Milanos, tani një tjetër shqiptare shkëlqen edhe në të magjishmin teatër San Carlo të Napolit, një nga teatrot më antikë dhe më prestigjozë në Europë dhe në botë.
Cecilia Laca është një tjetër ekselencë shqiptare që me punën dhe talentin e saj fiton shkallët e karrierës për të qenë një nga instrumentistet më me vlerë të San Carlos.
Historia e saj tregohet në një faqe të tërë të gazetës së Napolit, Il Mattino. Vetëm 15 vjeç u largua nga Shqipëria drejt Italisë. “Nga mamaja ka trashëguar pasionin dhe disiplinën, ndërsa babai ishte instrumentist i oboes para se të bëhej drejtor në një ndërmarrje. Vëllai pianist po me një karrierë të suksesshme”, shkruhet në të përditshmen napoletane.
Cecilia Laca është një nga artistët e shumtë shqiptarë që në fushën e instrumenteve, baletit apo operistikës po arrijnë majat e institucioneve më të rëndësishme të kulturës europiane. Krenari e pafundme për këta bashkëatdhetarë të talentuar që me punën e tyre bëhen shembull frymëzimi për të rinj që ende studiojnë në shkollat artistike të Tiranës dhe Shqipërisë me shpresa dhe ëndrra të jashtëzakonshme.