Në Bruksel, të enjten, për herë të parë është zhvilluar diskutimi në grupin punues të Këshillit të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ka qenë ky rasti i parë që vendet anëtare në këtë grup punues të shprehin qëndrimet e tyre. Takimet e tilla janë interne pune, nga të cilat nuk bëhen qëndrime. Se çfarë ka ndodhur në takimet e tilla mund të mësohet vetëm në mënyrë joformale përmes burimeve diplomatike.
Sipas burimeve diplomatike të BE-së, diskutimi ka dëshmuar se ekziston një mbështetje e madhe në mesin e vendeve anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave, por akoma ka shtete të cilat kanë edhe disa kërkesa që duan të adresohen para se të miratohet vendimi.
Franca, një vend i cili deri më tash më së shumti ka qenë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën, kësaj radhe nuk është shprehur kundër, por ka propozuar që liberalizimi i vizave të lidhet me sistemin ETIAS, që është një sistem i ri i vendosur nga BE-ja ku qytetarët e shteteve që kanë liberalizimin e vizave duhet të regjistrohen në këtë sistem para se të udhëtojnë. Një regjistrim pastaj do të ishte i vlefshëm për tre vjet.
Por problemi me propozimin e Francës qëndron edhe në faktin se ky sistem hyn në fuqi më 1 janar 2023, por do të jetë plotësisht operativ më 1 nëntor të vitit 2023. Mbetet e paqartë se për cilin afat ka dashur Franca ta lidhë ketë. Nëse e lidh me funksionimin e plotë, atëherë hyrja në fuqi e liberalizimit do të mund të shtyhej deri në vjeshtën e vitit që vjen. Për propozimet e saj, Franca thuhet se ka pasur mirëkuptim edhe nga disa shtete, si Holanda, Belgjika, Danimarka dhe Suedia.
Pasi ky ka qenë vetëm takimi i parë ku janë shprehur qëndrimet fillestare të përfaqësuesve të vendeve anëtare, Çekia, si kryesuese e radhës, mësohet se ka kërkuar nga delegacionet deri më 21 tetor të dërgojnë komentet e tyre me shkrim për këtë çështje. Pos kësaj, do të ketë edhe “shkëmbime bilaterale” të qëndrimeve të vendeve anëtare që është një mënyrë e zakonshme në funksionimin e BE-së kur ndërtohet qëndrimi i përbashkët për një çështje.
Burime diplomatike në Bruksel thonë se në takim për herë të parë, asnjë shtet nuk ka qenë kundër liberalizimit të vizave për Kosovën. Shumica e madhe e ka mbështetur pa asnjë rezervë liberalizimin e vizave. Në mesin e tyre janë Finlanda, Gjermania, Kroacia, Greqia, Hungaria, Estonia, Polonia, Portugalia, Malta, Sllovenia dhe Luksemburgu. Çekia, si kryesuese e radhës, mban qëndrim neutral, por në një letër që ua kishte dërguar vendeve anëtare ishte shprehur qartë se ka ardhur koha për liberalizimin e vizave.
Disa vende, si Danimarka, Italia dhe Suedia, nuk kanë shprehur qëndrime duke thënë se kanë pasur zgjedhje dhe se janë në procesin e formimit të qeverive pas tyre. Ka pasur edhe rikujtime se Kosova do të duhet të bëjë më shumë në përshtatjen e politikës së vizave me atë të BE-së. Kjo ka të bëjë me regjimin e vizave që Kosova ka me vendet e jashtme, qytetarët e disa prej të cilave mund të hynë në Kosovë pa viza, por u duhen vizat për BE.
Një kërkesë të tillë, BE e ka edhe për shtete tjera të rajonit, por ato tashmë kanë liberalizim të vizave nga BE-ja. Kosova këtë kërkesë, nëse do të kishte trajtim të njëjtë, do të mund ta përmbushte gradualisht edhe pas liberalizimit të vizave.
Spanja, një prej vendeve që nuk e ka njohur Kosovën si shtet, sipas këtyre burimeve, është shprehur se ajo do të pajtohet nëse ekziston shumica në Këshill për vendim.
Në bazë të diskutimeve të së enjtes, diplomatët në Bruksel vlerësojnë se do të kenë nevojë edhe për takime tjera në nivel të grupit punues për të përafruar qëndrimet para se çështja të shkojë në një instancë më të lartë në Këshill. Prandaj thonë se akoma nuk mund të bëhen parashikime kohore se kur mund të ndodhë liberalizimi i vizave, por se “atmosfera është shumë pozitive”.
Për ketë vendim mjafton shumica e kualifikuar në Këshill. Por synohet që të ketë një mbështetje sa më të madhe, madje edhe nga të gjitha vendet.